Subjektet Deklaruese

Subjektet që mbartin detyrimet për deklarimin

1. Mbartin detyrimin për deklarim periodik në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave:

a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;

b) gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit;

c) zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të vetëqeverisjes vendore;

ç) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive;

d) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;

dh) prokurorët, gjyqtarët, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe drejtuesit e zyrave përmbarimore brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë;

e) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;

ë) Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme;

f) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;

g) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë,

gj) zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;

h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj.

i) drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku;

j)administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë

2. Mbartin detyrimin për deklarim edhe personat që, sipas nenit 9 të këtij ligji, mbartin detyrimin e deklarimit me kërkesë.

2.1. Mbartin detyrimin për deklarim edhe subjektet e parashikuara në nenet 26 dhe 27, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”

3. Kuvendi, me vendim të tij dhe me propozim të Inspektorit të Përgjithshëm, vendos detyrimin për deklarim të pasurisë për funksione të tjera, të paparashikuara në këtë ligj.

Kandidatët për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë

1. Mbartin detyrimin për deklarimin e pasurisë dhe të interesave privatë:

a) kandidatët që shprehin interesin për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

b) kandidatët që shprehin interesin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe kandidatët jomagjistatë për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

c) kandidatët për pranim në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, si dhe i diplomuari që kandidon për t’u emëruar magjistrat, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ç) kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

d) kandidatët për prokuror, oficer hetimi, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

dh) kandidatët, të cilët, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë ngritje në detyrë në shkallë më të larta ose të specializuara; e) kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ë) kandidatët për kryetarë të gjykatës ose prokurorive të tjera, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

f) çdo person tjetër që ka detyrimin të deklarojë para kandidimit, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Kandidatët për pozicionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, që janë subjekte që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave privatë, sipas parashikimeve të nenit 3, të këtij ligji, i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Nëse gjatë 180 ditëve para paraqitjes së kërkesës, kandidati është kontrolluar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe kontrolli nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer.

3. Inspektorati i Lartë kryen kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, brenda 2 muajve nga paraqitja e deklaratës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Në përfundim të verifikimit, Inspektori i Përgjithshëm u dërgon menjëherë institucioneve përkatëse raportin e verifikimit.