Legjislacioni

L I G J

Nr.9049, datë 10.4.2003

PËR DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E PASURIVE, TË DETYRIMEVE FINANCIARE TË TË ZGJEDHURVE DHE TË DISA NËPUNËSVE PUBLIKË

(I ndryshuar me ligjet nr. 9367, datë 7.4.2005, nr.9475, datë 9.2.2006, nr. 9529, datë 11.5.2006, nr. 9530, datë 11.5.2006, nr.9584. datë17.7.2006, nr. 85/2012, datë 18.9.2012, nr. 45/2014,datë 24.4.2014, nr. 42/2017, datë 6.4.2017, nr.105/2018, datë 13.12.2018)

Shkarko dokumentin këtu

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta.

Neni 2

Përkufizime

Përveçse kur përcaktohet ndryshe, në ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Aksion” është titull pronësie, që përfaqëson njërën nga pjesët në të cilat është ndarë kapitali i një shoqërie dhe që i jep të drejtën zotëruesit të saj të marrë pjesë në fitime.
  2. “Likuiditete” janë mjetet monetare, te vendosura ne çash, llogari rrjedhëse, depozita, me dhe pa afat, bono thesari, obligacione dhe huadhënie.
  1. “Pasuri e luajtshme e regjistruar” është çdo pasuri që nuk përfshihet në pasuritë e paluajtshme, e detyrueshme për t’u regjistruar në regjistrat publikë.
  2. “Person i lidhur me një zyrtar” ka kuptimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
  3. “Pjesë e kapitalit” është pjesa që zotëron një ortak në kapitalin e shoqërisë.
  4. “Transanksion” është veprimi me anë të të cilit sigurohet kalimi i të drejtave dhe detyrimeve pronësore nga njëri pronar tek tjetri.
  5. “Shpenzim i deklarueshëm” është tërësia monetare, e paguar për arsim, mjekim shëndetësor, pushime, aredim, si dhe të tjera shpenzime të këtij lloji, të kryera nga subjekti deklarues.
  6. Termat “konflikt i interesit”, “zyrtar”, “person i lidhur”, “interesa privatë”, të përdorur në këtë ligj, kanë kuptimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
  7. Përkufizimet “të dhënat personale” dhe “përpunimi i të dhënave” kanë kuptimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
  8. “Trajtime preferenciale” përfshin, por nuk kufizohet vetëm në, asetet, shërbimet, mallrat ose përfitime të tjera të ngjashme që i jepen ose janë në përdorim nga personi, pa shpërblim, si pasojë e detyrës, marrëveshjeve ose kontratave.

Neni 3

Subjektet që mbartin detyrimet për deklarimin

  1. Mbartin detyrimin për deklarim periodik në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave:
  2. a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
  3. b) gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit;
  1. c) zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të vetëqeverisjes vendore;

ç) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive;

  1. d) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
  2. dh) prokurorët, gjyqtarët, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe drejtuesit e zyrave përmbarimore brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë;
  3. e) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;

ë) Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme;

  1. f) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;
  2. g) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë,
  3. gj) zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;
  4. h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj.
  5. i) drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku;

j)administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë.

  1. Mbartin detyrimin për deklarim edhe personat që, sipas nenit 9 të këtij ligji, mbartin detyrimin e deklarimit me kërkesë.

2.1. Mbartin detyrimin për deklarim edhe subjektet e parashikuara në nenet 26 dhe 27, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

  1. Kuvendi, me vendim të tij dhe me propozim të Inspektorit të Përgjithshëm, vendos detyrimin për deklarim të pasurisë për funksione të tjera, të paparashikuara në këtë ligj.

 

Neni 3/1

Deklarimi i pasurisë për kandidatët për pozicione të ndryshme

në institucionet e sistemit të drejtësisë

  1. Mbartin detyrimin për deklarimin e pasurisë dhe të interesave privatë:
  2. a) kandidatët që shprehin interesin për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;
  3. b) kandidatët që shprehin interesin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe kandidatët jomagjistatë për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;
  4. c) kandidatët për pranim në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, si dhe i diplomuari që kandidon për t’u emëruar magjistrat, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

 ç) kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

  1. d) kandidatët për prokuror, oficer hetimi, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;
  2. dh) kandidatët, të cilët, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë ngritje në detyrë në shkallë më të larta ose të specializuara;
  3. e) kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ë) kandidatët për kryetarë të gjykatës ose prokurorive të tjera, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

  1. f) çdo person tjetër që ka detyrimin të deklarojë para kandidimit, sipas legjislacionit në fuqi.
  2. Kandidatët për pozicionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, që janë subjekte që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave privatë, sipas parashikimeve të nenit 3, të këtij ligji, nuk kryejnë një deklarim të ri, por i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Nëse gjatë 180 ditëve para paraqitjes së kërkesës, kandidati është kontrolluar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe kontrolli nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer.
  3. Inspektorati i Lartë kryen kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, brenda 2 muajve nga paraqitja e deklaratës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Në përfundim të verifikimit, Inspektori i Përgjithshëm u dërgon menjëherë institucioneve përkatëse raportin e verifikimit.

 

 

 

 

 

Neni 4

Afati dhe objekti i deklarimit

  1. Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të interesave privatë, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:
  2. a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to, sipas Kodit Civil;
  3. b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë, dhe të drejtat reale mbi to sipas Kodit Civil;
  4. c) sendet me vlerë të veçantë mbi 300 000 (treqindmijë) lekë;

ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim;

  1. d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj;
  2. dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj;
  3. e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale;

ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.

  1. f) dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale. Nuk deklarohen dhurata ose trajtim preferencial kur vlera e tyre është më e vogël se 10 000 (dhjetë mijë) lekë, si dhe kur dy e më shumë dhurata ose trajtime preferenciale, të dhëna nga i njëjti person, së bashku, nuk e kalojnë këtë vlerë, gjatë së njëjtës periudhë deklarimi;
  2. g) angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përfshirë çdo lloj të ardhure, të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim;
  3. gj) interesa privatë të subjektit, që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës;
  4. h) çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 (treqind mijë) lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit.

Interesat privatë të llojeve të tjera nga ato të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji mund të kërkohen të deklarohen periodikisht, nëse kjo është e mundur dhe e përshtatshme për nënlloje interesash brenda këtyre llojeve, të përcaktuara me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm.

  1. Subjektet e përcaktuara në nenin 3/1, të këtij ligji, detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave interesat privatë, burimet e krijimit të tyre, si dhe detyrimet financiare, brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me nenin 5/1, të këtij ligji, dhe sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

 

 

Neni 4/1

Subjektet e këtij ligji, që plotësojnë deklarimin për herë të parë, sipas nenit 5/1, të tij, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash, jashtë sistemit bankar, mbi shumën 1,5 (një presje pesë) milionë lekë.

Për subjektet që deklarojnë sipas nenit 5/1, të këtij ligji, depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve cash mbi vlerën e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së interesave privatë në ILDKPKI.

 

 

Neni 4/2

Dorëzimi i deklaratave të interesave private

 

  1. Të gjitha subjektet e ligjit dhe personat e tjerë të lidhur, që mbartin detyrim për deklarim, detyrohen të plotësojnë deklaratën e tyre në formë elektronike me mjetet e komunikimit elektronik, të vëna në dispozicion nga Inspektorati i Lartë dhe ta paraqesin personalisht, në formë shkresore, të mbyllur në zarf në strukturat përkatëse të institucioneve, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj për të gjitha llojet e deklarimit.
  2. Nëse dorëzimi bëhet personalisht në strukturat përkatëse të institucioneve, pasqyrohet në një procesverbal, që përfshin të dhënat për identifikimin e deklaratës së dorëzuar, datën e dorëzimit dhe nënshkruhet nga nëpunësi dhe marrësi.

3.Deklarata e dërguar me mjete të komunikimit elektronik konsiderohet e marrë me plotësimin dhe dërgimin në sistemin e deklarimit me mjetet elektronike.

  1. Subjektet, të cilët nuk janë zyrtarë në momentin e dorëzimit të deklaratës, e dorëzojnë atë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, sipas përcaktimeve të këtij neni, përveç kur parashikohet ndryshe në ligj.

Neni 5

Refuzimi për deklarim

  1. Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm, brenda 30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që refuzon të deklarojë.

Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin.

  1. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur ose nga ata me imunitet, Inspektori i Përgjithshëm vë në dijeni Kuvendin dhe, kur është rasti, edhe organin epror të personit.

Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me kalimin e 30 ditëve nga njoftimi i organit përgjegjës, Inspektori i Përgjithshëm detyrohet t’i bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.

Neni 5/1

Deklarimi para fillimit të punës

  1. Të gjitha subjektet, që mbartin detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, duhet të deklarojnë para fillimit të punës:
  2. a) të gjitha pasuritë e grumbulluara, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë të përcaktuar në nenin 4 të këtij ligji, përfshirë burimet e krijimit të tyre;
  3. b) angazhimet në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, që ekzistojnë në datën e fillimit të punës, përfshirë çdo lloj të ardhure të krijuar nga këto angazhime ose veprimtari, nga data 1 janar deri në datën e fillimit të punës të vitit të deklarimit.
  4. Deklarimi para fillimit të punës dorëzohet jo më vonë se 30 ditë nga data e fillimit të detyrës.

Neni 6

(Shfuqizohet)

Neni 7

Deklarimi periodik vjetor

  1. Në deklarimin periodik jepen vetëm ndryshimet e ndodhura në pasuritë, detyrimet financiare dhe interesat privatë, të deklaruar më parë, sipas nenit 6 të këtij ligji, ata të lindur gjatë vitit që deklarohet dhe çdo e ardhur e fituar dhe shpenzim i deklarueshëm, i kryer gjatë gjithë vitit për të cilin bëhet deklarimi.
  2. Deklarimi para fillimit të punës, sipas nenit 5/1, të këtij ligji, dhe ai pas largimit nga funksioni, sipas nenit 7/1, të këtij ligji, janë raste të veçanta të deklarimit periodik.
  3. Të gjithë zyrtarët dhe personat e tjerë të lidhur, që mbartin detyrim për deklarim, detyrohen të paraqesin deklaratën e tyre deri më 31 mars të çdo viti, pranë autoritetit ose strukturës përgjegjëse të institucionit publik, të parashikuar në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
  4. Kur zyrtari transferon të drejtat e zotërimit aktiv të aksioneve ose të pjesëve në kapital, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, në deklarimin periodik, për sa kohë vazhdon kjo gjendje, ai deklaron vetëm gjendjen e këtyre të drejtave para transferimit dhe frytet e pasurisë, të cilat ai ka marrë efektivisht gjatë vitit për të cilin bëhet deklarimi.
  5. Për qëllim të deklarimit para fillimit të detyrës, periodik vjetor apo pas largimit nga funksioni, sipas pikave të mësipërme të këtij neni, ndër personat e lidhur me zyrtarin, mbartin detyrim për deklarim vetëm bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/esja dhe fëmijët madhorë.

Neni 7/1

Deklarimi pas largimit nga funksioni

  1. Deklarimi pas largimit nga funksioni kryhet vetëm një herë për periudhën nga deklarimi i fundit deri në datën e largimit, me përjashtim të rastit kur zyrtari fillon punë në një detyrë tjetër, që, sipas këtij ligji, vazhdon të mbartë detyrimin për deklarim.
  2. Në deklarimin pas largimit nga funksioni jepen vetëm ndryshimet e ndodhura në pasuritë, detyrimet financiare dhe interesat privatë, për periudhën nga deklarimi i fundit deri në datën e largimit nga funksioni.
  3. Deklarimi kryhet jo më vonë se 15 ditë nga data e largimit nga funksioni.

 

 

 

Neni 8

(Shfuqizohet)

Neni 9

Deklarimi me kërkesë

  1. Inspektori i Përgjithshëm ka detyrimin të kërkojë deklarimin e pasurive e të interesave privatë dhe burimet e krijimit të tyre, sipas kërkesave të këtij ligji, si dhe të urdhërojë kontrollin për saktësinë e këtyre deklarimeve edhe për individët ose personat fizikë e juridikë, kur, nga verifikimet e kryera, rezulton se këta të fundit janë persona të lidhur me subjektet që mbartin detyrimin për deklarim periodik.
  2. Vlerësohet person i lidhur, në zbatim të pikës 1, të këtij neni, edhe i besuari, sipas kuptimit të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, si dhe bashkëjetuesi, sipas kuptimit të përcaktuar nga Kodi i Familjes.
  3. Inspektori i Përgjithshëm, për efekt të verifikimit të deklarimit të të ardhurave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, i dërgon ministrit përgjegjës për financat dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve informacion për listën e individëve, të cilët kanë rezultuar persona të lidhur me subjektet deklaruese që mbartin detyrim për deklarim, sipas pikës 1 të këtij neni.

 

 

Neni 9/1

Autorizimi i kontrollit

Deklarimi i pasurisë dhe i interesave privatë shoqërohet me një autorizim të veçantë, ku deklaruesi autorizon organet e përcaktuara në këtë ligj të verifikojnë të gjitha subjektet, private e publike, brenda dhe jashtë vendit, për të dhënat e deklaratës.

Mosdhënia e autorizimit brenda 15 ditëve nga mbarimi i afatit për deklarim përbën shkak ligjor për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, sipas legjislacionit përkatës.

Neni 10

(Shfuqizohet)

(Ref.Neni 50 të Ligjit nr.9367, datë 7.4.2005)

 

KREU II

ORGANET, KOMPETENCAT DHE STRUKTURA

Neni 11

Inspektori i Përgjithshëm

  1. Organi përgjegjës për kontrollin e deklarimit të pasurive është Inspektori i Përgjithshëm.
  2. Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi për një mandat 7-vjeçar.
  3. Kuvendi i Shqipërisë, jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, publikon shpalljen për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm.
  4. Në rastet e mbarimit të mandatit, sipas nenit 14, të këtij ligji, shpallja për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm bëhet kryesisht nga Kuvendi, brenda 10 ditëve nga krijimi i vakancës.
  5. Çdo shtetas, i cili plotëson kushtet e nenit 12, të këtij ligji, mund të paraqesë në Kuvend kandidaturën për Inspektor të Përgjithshëm. Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës, që provon përmbushjen e kushteve ligjore dhe kritereve objektive.
  6. Lista e kandidatëve i kalon komisionit të përhershëm të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe kushteve përkatëse. Komisioni shqyrton kandidaturat dhe zbaton procedurat, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Komisioni përzgjedh të paktën dy kandidatë, sipas procedurës së mësipërme, të cilët i kalojnë Kuvendit për votim.
  7. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm me 3/5 e anëtarëve të tij në votimin e parë. Në rast se kjo shumicë votash nuk arrihet, Kuvendi zhvillon votimin e dytë jo më vonë se 7 ditë nga përfundimi pa sukses i votimit të parë. Në votimin e dytë, Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.
  8. Inspektori i Përgjithshëm bën deklarimin e parë të pasurisë brenda 30 ditëve nga zgjedhja e tij dhe çdo vit, sipas nenit 4, të këtij ligji, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
  9. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të rëndë të ligjit ose për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Inspektorit të Përgjithshëm

Neni 12

Kushtet dhe kriteret për t’ u zgjedhur

  1. Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte ligjore:
  2. të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik ose ekonomik në profilin financë, Diplomë e Nivelit të Dytë;
  3. të ketë vjetërsi në profesion, si jurist ose ekonomist financier, jo më pak se 15 vjet;
  4. të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;

ç) të mos jetë anëtar i partive politike, deputet, ministër, zëvendësministër, pjesëtar në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.

  1. Kandidati që përmbush kushtet ligjore, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni zgjidhet Inspektor I Përgjithshëm në bazë të këtyre kritereve objektive:
  2. vjetërsisë në profesion;
  3. përvojës së veçantë profesionale në fushën e së drejtës penale/administrative ose veprimtarinë audituese;
  4. ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë;

ç) të gëzojë integritet të lartë moral, ku përfshihen, ndër të tjera, transparenca e plotë dhe e dokumentuar e të gjitha të ardhurave dhe aseteve, pagimi i të gjitha detyrimeve tatimore, si dhe informacionet zyrtare, të marra nga institucione të tjera publike, përfshirë dhe informacionet konfidenciale.

 

 

Neni 13

Papajtueshmëritë

Funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me:

  1. a) çdo funksion tjetër publik;
  2. b) çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies;
  3. c) anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre.

Neni 14

Mbarimi i mandatit

  1. Mandati i Inspektorit të Përgjithshëm mbaron kur:
  2. a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
  3. b) nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj;
  4. c) jep dorëheqjen;

ç) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.

  1. Inspektori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Kuvendi vetëm me kërkesë të motivuar të jo më pak se një së tretës së deputetëve:
  2. a)      për shkelje të dispozitave të këtij ligji;
  3. b)      kur kryen veprimtari që krijon konflikt interesash;
  4. c)      kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij;
  5. Në këtë rast Kuvendi vendos me tre të pestat e gjithë anëtarëve të tij.

 

Neni 15

Kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm

1.Inspektori i Përgjithshëm ka këto kompetenca:

  1. a) drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të deklaruara dhe konfliktit të interesave nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;

a/1. Drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në zbatim të legjislacionit në fuqi për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

  1. b) njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.
  2. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave u përcjell organeve kompetente për hetimin e shkeljeve disiplinore, një raport të arsyetuar, të shoqëruar me dokumentacionin që lidhet me parregullsitë e vërtetuara për pasurinë e deklaruar.

Neni 16

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, struktura dhe buxheti

  1. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, që më poshtë do të quhet “Inspektorati i Lartë”, është person juridik publik, i cili, nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron deklarimin e pasurisë, të detyrimeve financiare dhe kontrollin e këtij deklarimi, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
  2. Shfuqizuar
  3. Inspektorët e Inspektoratit të Lartë gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
  4. Inspektorati i Lartë  ka buxhetin e vet të pavarur, të caktuar nga Kuvendi, i cili vendos numrin dhe pagat e punonjësve të këtij Inspektorati me propozim të Inspektorit të Përgjithshëm.

Neni 17

Kompetencat e Inspektoratit të Lartë

Inspektorati i Lartë ka këto kompetenca:

  1. a) ushtron kontrollin e drejtpërdrejtë të deklarimeve në emërtesë të tij;
  2. b) mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative. Mbledhja e të dhënave bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar.
  3. c) bashkëpunon me autoritetet përgjegjëse të institucioneve shtetërore për zbatimin e këtij ligji, legjislacionit për parandalimin e konflikti të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, si dhe ligjit për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve;

ç) bashkëpunon me organet e auditimit dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

d)bashkëpunon me institucionet e tjera sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi.

Neni 18  (Shfuqizohet)

Inspektoratet e ulëta

(Ref. Neni 41, pika 2 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).

Neni 19  (Shfuqizohet)

Kompentencat e inspektoratit të ulët

Neni 20  (Shfuqizohet)

Përbërja e inspektoratit të ulët

(Ref. Neni 41, pika 2 dhe neni 42, pika 3 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005)

 

KREU III

ORGANIZIMI I DEKLARIMIT DHE KONTROLLI

Neni 21

Deklarimi

Deklarimi i pasurive, i burimeve të tyre, i detyrimeve financiare bëhet sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe në formën e përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Deklarimi përfshin pasurinë e subjektit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es dhe fëmijëve në moshë madhore), burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të subjektit. Deklarimi duhet të përmbajë edhe faktin nëse deklaruesi/ja ka ose jo persona të tjerë të lidhur.

Neni 22

Deklarimi i pjesëtarëve të familjes

Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim.

Anëtari i familjes dhe personi i lidhur me subjektin deklarues mban përgjegjësi ligjore për vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të deklaruara.

Neni 23  (Shfuqizohet)

Paraqitja e deklarimit dhe afatet

Neni 24

Përpunimi paraprak

Inspektorati i Lartë bën përpunimin paraprak të deklarimeve, i cili përfshin juridiksionin, rregullsinë e plotësimit të deklaratës dhe të anekseve të saj.

Kur nga përpunimi paraprak vërtetohen gabime materiale, mospërputhje midis deklaratës së dorëzuar personalisht në formë fizike dhe deklaratës së dorëzuar me mjete të komunikimit elektronik, ose plotësime të gabuara, Inspektorati njofton subjektin që ka paraqitur këto deklarime, i cili, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar t’i ndreqë ato.

Deklaratat e interesave private pas dorëzimit dhe regjistrimit kalojnë menjëherë në skanimin fizik dhe ruhen në sistemin e programuar elektronik të ILDKPKI-së.

Vetëm pas përfundimit të procedurave të skanimit deklaratat e interesave private kalojnë në përpunimin paraprak, kontrollin aritmetik e logjik dhe me pas në kontroll të plotë.

Procedurat e pranimit, skanimit dhe përpunimit paraprak miratohen nga Inspektori i Përgjithshëm.

Neni 25

Llojet e kontrollit

1.Kontrolli aritmetik dhe logjik kryhet për çdo deklarim për të vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurive nga burime të deklaruara.

Ky proces kontrolli, kryhet brenda vitit kalendarik të dorëzimit të deklaratave të interesave private të zyrtarëve dhe personave të lidhur me ta në ILDKPKI.

2.Shfuqizuar

  1. Metodikat dhe manualet e ushtrimit të kontrollit miratohen nga Inspektori i Përgjithshëm.

 

Neni 25/1

Kontrolli i plotë i deklaratës së pasurive dhe interesave privatë

  1. Kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e pasurisë dhe të interesave privatë kryhet:

a)çdo 2 vjet për Presidentin e Republikës, deputetët, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrin, zëvendësministrin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatin e Popullit, anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarin e organeve rregullatore ose të mbrojtjes së konkurrencës, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj;

  1. b) çdo 3 vjet për prefektët, kryetarët e bashkive dhe këshillit të qarkut, nëpunësin civil të nivelit të lartë drejtues të administratës publike, zyrtarët e nivelit të lartë drejtues të administratës doganore dhe tatimore, gjyqtarët e apelit, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, prokurorët e apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit;
  2. c) çdo 4 vjet për titullarët e institucioneve shtetërore, qendrore ose vendore, dhe anëtarët e organeve kolegjiale të këtyre institucioneve, të papërfshira në shkronjat e mësipërme të kësaj pike.

ç) çdo 4 vjet për të gjithë gjyqtarët e gjykatës së shkallës së parë dhe prokurorët e rrethit gjyqësor të shkallës së pare;

  1. d) çdo 5 vjet për zyrtarët e tjerë të papërfshirë në shkronjat e mësipërme

Pika 2 dhe 3 shfuqizohen.

  1. Kontrolli ose rikontrolli i plotë i deklarimit kryhet çdo herë nga Inspektori i Përgjithshëm, kur ai ka të dhëna, nga burime të ligjshme, që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që përmbahen në deklarimin e një zyrtari, si dhe kur ka mospërputhje, që rezultojnë nga kontrolli aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.
  2. Kontrolli i plotë dhe hetimi administrativ i kryer nga Inspektorati i Lartë përfundon brenda 6 muajve pas fillimit të tij, i cili mund të zgjatet në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurave Administrative.

Neni 25/2

Hetimi administrativ

  1. Kur nga rezultatet e verifikimit të deklarimit rezulton se burimet nuk mbulojnë apo justifikojnë pasuritë ose kur për një deklaratë, pavarësisht nëse ka kaluar apo jo në kontroll të plotë, ka të dhëna, nga burime të ligjshme, për fshehje të interesave dhe të çdo të dhëne tjetër private, që është e detyrueshme të deklarohet, ose deklarime të rreme, Inspektori i Përgjithshëm nis hetimin administrativ.
  2. Mbledhja e të dhënave, kryerja e kontrollit të plotë dhe hetimi administrativ bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

 

 

 

Neni 26

Detyrimi për të dhënat

Për kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e të dhënave të deklaratës, Inspektorati i Lartë ka të drejtë të shfrytëzojë të dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat juridikë publikë e privatë.

Nëse të dhënat e përcaktuara në këtë nen ruhen dhe administrohen në formë elektronike ose nëse përpunimi dhe përditësimi i tyre kryhet në format elektronik ose ndërfaqje elektronike, institucioni publik ose personi juridik publik apo privat ka detyrimin të japë informacionin e kërkuar nëpërmjet sistemit elektronik të Inspektoratit të Lartë, i cili do të mundësojë ndërlidhjen dhe shkëmbimin e të dhënave të regjistruara në regjistrat apo bazën e të dhënave elektronike të këtyre autoriteteve.

 Niveli i aksesimit për secilin rast bëhet nëpërmjet niveleve të sigurisë, me qëllim kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e të dhënave të deklaratës.

Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm, apo inspektorëve të autorizuar prej tij, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim.

Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.

 

Neni 27

Thirrja e subjektit për të dhënë shpjegime

Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk janë të sakta ose burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë pasuritë e deklaruara, Inspektorati i Lartë thërret subjektin për të dhënë shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat paraqiten kurdoherë me shkrim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit.

Neni 28

Pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme

 (Shfuqizohet)

Neni 29

Thirrja e ekspertëve

Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të thërrasë ekspertë të pavarur, të licencuar, të fushave të ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive ose për çështje që këta çmojnë të arsyeshme.

Ekspertët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave që sigurojnë gjatë ekspertimit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Shpenzimet e ekspertëve përballohen nga buxheti i Inspektoratit të Lartë.

 

 

Neni 30

Dokumentimi i kontrollit

Për çdo deklaratë që i nënshtrohet kontrollit të Inspektoratit të Lartë plotësohet fleta e kontrollit, sipas mënyrës së përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm, e cila nënshkruhet nga inspektori që ka ushtruar kontrollin.

Neni 31

Përmbajtja e të dhënave

  1. Në bazë të fletëkontrolleve përgatiten raporte, që i paraqiten për miratim Inspektorit të Përgjithshëm.  Të dhënat duhet të përmbajnë, në mënyrë të përmbledhur, identifikimin e deklaratave, që i janë nënshtruar kontrollit, faktet dhe parregullsitë e gjetura, si dhe propozimet për masa disiplinore e gjoba për kundërvajtjet dhe, kur është rasti, propozimet për kallëzime për ndjekje penale.
  2. Kontrolluesi i ILDKPKI-së merr masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, aksidentale, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi, në përputhje me legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave personale
  3. Punonjësit e ILDKPKI-së, që vihen në dijeni për të dhënat e deklarimit të pasurisë, për shkak të ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të funksionit. Këto të dhëna nuk përhapen, përveç rasteve të parashikuara me ligj.

Neni 32

Pasuritë e fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale

Kur pasuritë e fituara gjykohen se janë rrjedhojë e fshehjes së detyrimeve fiskale, Inspektori i Përgjithshëm njofton organet tatimore të cilët detyrohen të njoftojnë rast pas rasti Inspektoratin e Lartë për masat e marra.

Neni 33

Ruajtja e dokumenteve

I gjithë dokumentacioni, që ka të bëjë me deklarimin dhe kontrollin e pasurive, arkivohet sipas rregullave dhe ruhet për një periudhë 10-vjeçare. Ky detyrim përfshin edhe dokumentacionin e deklarimit të pasurive, i cili u përket periudhave të mëparshme e që është gjendje në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

 

 

Neni 34

Publikimi

  1. Të dhënat, që grumbullohen nga deklarimi, sipas këtij ligji, janë të lejueshme për publikun vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.
  2. Deklaratat e interesave privatë janë dokumente zyrtare dhe publikohen në faqen zyrtare të internetit të Inspektoratit të Lartë, me të dhënat konfidenciale, personale, të redaktuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.
  3. Të dhënat e marra nga institucionet publike dhe/ose private gjatë ushtrimit të kontrollit, rikontrollit të deklaratave të interesave privatë apo hetimit administrativ, përdoren vetëm për qëllime të këtij ligji dhe nuk mund të bëhet publikimi ose shpërndarja e paautorizuar e tyre, në kundërshtim me këtë ligj dhe me legjislacionin në fuqi për publikimin dhe përpunimin e të dhënave personale.

Neni 35  (Shfuqizohet)

(Ref. Neni 42  pika “d”,  “dh” të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).

Neni 36  (Shfuqizohet)

Neni 37  (Shfuqizohet)

(Ref. Neni 44  dhe 45 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).

Neni 38

Deklarimi i rremë

Deklaratat dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë ato janë dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 39

Raportimi

  1. Inspektori i Përgjithshëm i raporton Kuvendit, jo më vonë se më 31 Maj të çdo viti, për veprimtarinë e kryer në vitin pararendës, si dhe sa herë që thirret nga Kuvendi.

Inspektori i Përgjithshëm mund t’i kërkojë Kuvendit ta dëgjojë për çështje që ai i çmon të rëndësishme.

 

 

 

KREU IV

KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Neni 40

Kundërvajtjet administrative

  1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas kufijve të përcaktuar më poshtë:
  2. a) Për mosdeklarim para fillimit të detyrës, periodik vjetor, pas largimit nga funksioni apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
  3. b) Për moslëshim autorizimi, sipas nenit 9/1, të këtij ligji, zyrtari dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë.
  4. c) Kur nuk jepen të dhënat e kërkuara nga Inspektorati i Lartë, sipas nenit 26, të këtij ligji, personat përgjegjës të institucioneve publike dhe private dënohen me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

ç)Kur ekspertët refuzojnë kryerjen e ekspertimit ose kur ata nuk paraqiten, pa shkaqe të arsyeshme, për kryerjen e ekspertimit, sipas nenit 29, të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

  1. d) Për shkelje të detyrimit të parashikuar në nenin 34, pika 3, të këtij ligji, personi përgjegjës dënohet me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
  2. dh) Për shkelje të tjera të këtij ligji, të përcaktuara me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm e të konstatuara gjatë veprimtarisë kontrolluese të Inspektoratit të Lartë, Inspektori i Përgjithshëm dënon personat përgjegjës me gjobë në masën nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
  3. Të drejtën për vendosjen e masave administrative për rastet e shkeljeve të mësipërme e ka Inspektori i Përgjithshëm.
  4. Procedurat për zbatimin e masave administrative dhe ankimin ndaj tyre rregullohen sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe dispozitave të legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
  5. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative të konstatuara gjatë kryerjes së inspektimeve të Inspektoratit të Lartë bëhet jo më vonë se 6 muaj pas konstatimit të shkeljes.

 

 

Neni 41

Ekzekutimi i gjobave

Të ardhurat nga gjobat dhe të ardhurat e tjera të mbledhura në zbatim të dispozitave të këtij ligji kalojnë të gjitha në Buxhetin e Shtetit, jo më vonë së 30 ditë nga komunikimi i gjobës.

Me kalimin e këtij afati, vendimi i dhënë shndërrohet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga punëdhënësi kur kundërvajtësi është në marrëdhënie pune ose nga zyra e përmbarimit, me kërkesën e Inspektorit të Përgjithshëm.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 42

Ligji nr.7903, datë 8.3.1995 “Për deklarimin e pasurive të të zgjedhurve dhe të disa drejtuesve e punonjësve të shërbimit publik” dhe çdo dispozitë tjetër, që vjen në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 42/1

  1. Subjektet që mbartin detyrimin për deklarim për shkak të funksionit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryeinspektorit dhe inspektorëve të Inspektoratit pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dorëzojnë deklaratat e interesave privatë deri në momentin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
  2. Subjektet që mbartin detyrimin për deklarim për shkak të funksionit të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në momentin e krijimin të këtyre institucioneve, sipas legjislacionit në fuqi.
  3. Për efekt të deklarimit të dërguar me mjete të komunikimit elektronik, sipas nenit 4/2, të ligjit, zbatimi i tij kryhet me përgatitjen dhe vënien në dispozicion të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë. Deri në momentin e funksionimit të sistemit elektronik, subjektet e këtij ligji dhe personat e lidhur mbartin detyrimin për të paraqitur deklaratën e interesave privatë, në formë shkresore dhe të mbyllur në zarf, në strukturat përkatëse të institucioneve.
  4. Për efekt të sigurimit të të dhënave dhe informacionit, sipas nenit 26, të ligjit, zbatimi i tij kryhet me përgatitjen dhe vënien në dispozicion të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë.
  5. Për efekt të publikimit të deklaratave të interesave privatë, sipas pikës 2, të nenit 34, të ligjit, zbatimi i tij kryhet me përgatitjen dhe vënien në funksionim të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë.
  6. Inspektori i Përgjithshëm, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton formatin e deklarimit për kandidatët për pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë.
  7. Inspektori i Përgjithshëm vazhdon të qëndrojë në detyrë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në plotësimin e mandatit 7-vjeçar, të parashikuar në nenin 11, pika 2, të ligjit.

Neni 42/2

  1. Për efekt të deklarimit të interesave privatё të dërguar me mjete të komunikimit elektronik, sipas nenit 4/2, të ligjit, të gjithë zyrtarët dhe personat e tjerë të lidhur, që mbartin detyrimin për deklarim, detyrohen të deklarojnë:
  2. a) Në deklarimin periodik vjetor, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, më 31 dhjetor të vitit të deklarimit.
  3. b) në deklarimin para fillimit të punës, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë privatё të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, në datën e fillimit të punës të vitit të deklarimit.
  4. c) Në deklarimin pas largimit nga funksioni, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë privatё të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, në datën e largimit nga funksioni.
  5. Parashikimet në shkronjat “a” dhe “c” janë të vlefshme vetëm për plotësimin për herë të parë të deklaratës së interesave privatё nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
  6. Inspektori i Përgjithshëm, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, merr të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e kësaj pike.

 

Dispozitë kalimtare

Për efekt të deklarimit të shpenzimeve të deklarueshme, sipas nenit 1 pika 7 të këtij ligji, shpenzime të deklarueshme janë ato që kryhen me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Në rast mospërputhjesh midis të dhënave të deklaruara në deklaratën e dërguar me mjete të komunikimit elektronik dhe të dhënave të deklaruara në deklarimet e mëparshme, përpara funksionimit të sistemit elektronik, sipas parashikimeve të nenit 42/1, pika 3, të këtij ligji, do të mbizotërojnë të dhënat që janë në favor të zyrtarit dhe personave të tjerë të lidhur, që mbartin detyrimin për deklarim.

 

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 194, datë 9 janar 2019.