Inspektori i Përgjithshëm

Znj. Evgjeni BASHARI
Inspektor i Përgjithshëm

Me Vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, datë 21 shkurt 2021, zonja Evgjeni Bashari emërohet Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

E lindur më 9 shkurt 1982, zonja Bashari vjen në krye të këtij institucioni pas një përvoje pune të gjatë pranë institucioneve të rëndësishme të administratës shtetërore. Pas përfundimit të studimeve të larta për drejtësi me rezultate të shkëlqyera, znj. Bashari vijon studimet në nivel master ndërkombëtar për “E Drejtë Ndërkombëtare Biznesi”. Formimi i saj pasurohet me një sërë kualifikimesh, trainimesh dhe ekspertizash ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit, ku theksohen kualifikimet në Hungari, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zonja Bashari, ka një përvojë të gjatë profesionale në fushat e Reformës në Administratën Publike, Reformës në Drejtësi dhe Studimit të Ligjit, të cilat i kushtojnë një rëndësi të veçantë politikave dhe strategjive të anti korrupsionit, të përfituar përmes ushtrimit të detyrës si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, si dhe funksioneve të drejtorit në kabinetin e inspektorit të përgjithshëm dhe sekretarit të përgjithshëm pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Zonja Bashari, ka qenë e angazhuar në zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe USAID, si dhe ka përfaqësuar institucionin në procese të rëndësishme raportimi pranë organizmave ndërkombëtare, për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Zonja Bashari ka përvojë në trainimin e administratës publike në çështje të lidhura më parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe ka marrë pjesë në aktivitete trainuese të organizuara nga Akademia e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, The International Law Enforcement Academy (ILEA), Fondi Evropian për Ballkanin (EFB), Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, si dhe OSBE.

Zonja Bashari është autore e artikujve “Protection of Foreign Direct Investment in Albania”, “Comparative prospective with Bulgaria and Romania”, si dhe bashkë autore në publikimin e “The Case Law of Central and Eastern Europe Enforcement of Contracts Volume 1” dhe “Tort Liability and EC Directives Civil Law Forum for South East Europe”.