Legjislacioni
L I G J
Nr.9049, datë 10.4.2003
PËR DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E PASURIVE, TË
DETYRIMEVE FINANCIARE TË TË ZGJEDHURVE DHE TË DISA NËPUNËSVE PUBLIKË
(I ndryshuar me ligjet nr. 9367, datë 7.4.2005, nr.9475, datë
9.2.2006, nr. 9529, datë 11.5.2006, nr. 9530, datë 11.5.2006, nr.9584. datë17.7.2006, nr. 85/2012, datë 18.9.2012, nr. 45/2014,datë 24.4.2014, nr. 42/2017, datë 6.4.2017, nr.105/2018, datë
13.12.2018)
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1
të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave
për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të
krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë,
për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta.
Neni 2
Përkufizime
Përveçse kur përcaktohet ndryshe, në ligj termat e
mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Aksion” është titull pronësie, që përfaqëson
njërën nga pjesët në të cilat është ndarë kapitali i një shoqërie dhe që i jep
të drejtën zotëruesit të saj të marrë pjesë në fitime.
2. "Likuiditete"
janë mjetet monetare, te vendosura ne çash, llogari rrjedhëse,
depozita, me dhe pa afat,
bono thesari, obligacione dhe huadhënie.
3. “Pasuri e luajtshme e regjistruar” është çdo
pasuri që nuk përfshihet në pasuritë e paluajtshme, e detyrueshme për t’u
regjistruar në regjistrat publikë.
4. “Person i lidhur me një zyrtar” ka kuptimin e përcaktuar në legjislacionin në
fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve
publike.
5. “Pjesë e kapitalit” është pjesa që zotëron një
ortak në kapitalin e shoqërisë.
6. “Transanksion” është veprimi me anë të të cilit
sigurohet kalimi i të drejtave dhe detyrimeve pronësore nga njëri pronar tek
tjetri.
7. “Shpenzim i deklarueshëm” është tërësia
monetare, e paguar për arsim, mjekim shëndetësor, pushime, aredim, si dhe të
tjera shpenzime të këtij lloji, të kryera nga subjekti deklarues.
8. Termat “konflikt i interesit”, “zyrtar”, “person
i lidhur”, “interesa privatë”, të përdorur në këtë ligj, kanë kuptimin e
përcaktuar në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të
interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
9. Përkufizimet “të dhënat personale” dhe
“përpunimi i të dhënave” kanë kuptimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi
për mbrojtjen e të dhënave personale.
10. “Trajtime
preferenciale” përfshin, por nuk kufizohet vetëm në, asetet, shërbimet, mallrat
ose përfitime të tjera të ngjashme që i jepen ose janë në përdorim nga personi,
pa shpërblim, si pasojë e detyrës, marrëveshjeve ose kontratave.
Neni 3
Subjektet që mbartin detyrimet për deklarimin
1. Mbartin
detyrimin për deklarim periodik në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe
Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave:
a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit,
Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
b) gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit
të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor,
anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë
dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Inspektori i
Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
dhe Konfliktit të Interesit;
c) zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues,
sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të
vetëqeverisjes vendore;
ç) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe
kryetarët e bashkive;
d) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave
të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
dh) prokurorët, gjyqtarët,
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe
drejtuesit e zyrave përmbarimore brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të
shkallës së parë;
e) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike
dhe anëtarët e enteve rregullatore;
ë) Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit,
drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në
Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore
të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë
Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë
së Posaçme;
f) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e
përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e
Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në
Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;
g) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave
të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të
pasurisë,
gj) zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi,
Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;
h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,
zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj.
i) drejtuesit e institucioneve publike në varësi të
institucioneve qendrore në nivel qarku;
j)administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të
kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë.
2. Mbartin detyrimin për deklarim edhe personat që,
sipas nenit 9 të këtij ligji, mbartin detyrimin e deklarimit me kërkesë.
2.1. Mbartin detyrimin për
deklarim edhe subjektet e parashikuara në nenet 26 dhe 27, të ligjit nr.84/2016,
“Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e
Shqipërisë”.
3. Kuvendi, me vendim të tij dhe me propozim të
Inspektorit të Përgjithshëm, vendos detyrimin për deklarim të pasurisë për
funksione të tjera, të paparashikuara në këtë ligj.
Neni 3/1
Deklarimi i pasurisë
për kandidatët për pozicione të ndryshme
në institucionet e
sistemit të drejtësisë
1. Mbartin
detyrimin për deklarimin e pasurisë
dhe të interesave privatë:
a)
kandidatët që shprehin interesin për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese,
sipas parashikimeve të legjislacionit
që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;
b)
kandidatët që shprehin interesin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe kandidatët jomagjistatë për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit
të Lartë të Drejtësisë,
sipas parashikimeve të legjislacionit
që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;
c)
kandidatët për pranim në formimin fillestar
të Shkollës së Magjistraturës,
si dhe i diplomuari që kandidon
për t’u emëruar magjistrat, sipas parashikimeve
të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
ç)
kandidatët për gjyqtarë dhe
nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat
e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për
të luftuar korrupsionin dhe
krimin e organizuar;
d)
kandidatët për prokuror, oficer hetimi, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin
dhe funksionimin e institucioneve
për të luftuar korrupsionin
dhe krimin e organizuar;
dh)
kandidatët, të cilët, sipas
parashikimeve të legjislacionit
që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë ngritje në detyrë
në shkallë më të larta ose
të specializuara;
e)
kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve
të spikatur, sipas parashikimeve
të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
ë)
kandidatët për kryetarë të gjykatës ose prokurorive
të tjera, sipas parashikimeve
të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
f)
çdo person tjetër që ka detyrimin të deklarojë para
kandidimit, sipas legjislacionit
në fuqi.
2.
Kandidatët për pozicionet e
përmendura në pikën 1, të këtij neni, që janë
subjekte që mbartin detyrimin për deklarimin
e interesave privatë, sipas
parashikimeve të nenit 3,
të këtij ligji, nuk kryejnë një deklarim
të ri, por i nënshtrohen kontrollit
të plotë të pasurisë. Nëse gjatë 180 ditëve para paraqitjes së kërkesës, kandidati është kontrolluar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit
dhe Deklarimit të Pasurive
dhe Konfliktit të Interesave dhe kontrolli
nuk ka rezultuar në
disfavor të tij, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer.
3.
Inspektorati i Lartë kryen kontrollin
e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së
të dhënave që përmbahen në deklaratën
e personave të përmendur në
pikën 1, të këtij neni, brenda 2 muajve nga paraqitja
e deklaratës, me përjashtim
të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Në përfundim
të verifikimit, Inspektori i Përgjithshëm u dërgon menjëherë institucioneve përkatëse raportin e verifikimit.
Neni 4
Afati dhe objekti i deklarimit
1. Subjektet e përcaktuara
në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të
Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave brenda datës
31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të
interesave privatë, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, burimet e krijimit
të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:
a) pasuritë e paluajtshme
dhe të drejtat reale mbi to, sipas Kodit Civil;
b) pasuritë e luajtshme,
të regjistrueshme në regjistrat publikë, dhe të drejtat reale mbi to sipas
Kodit Civil;
c) sendet me vlerë të veçantë mbi 300 000
(treqindmijë) lekë;
ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe
pjesët e kapitalit në zotërim;
d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë
sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në
huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj;
dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë
dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj;
e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose
pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura
personale;
ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.
f) dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë
identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat
a trajtimet preferenciale. Nuk deklarohen dhurata ose trajtim preferencial kur
vlera e tyre është më e vogël se 10 000 (dhjetë mijë) lekë, si dhe kur dy e më
shumë dhurata ose trajtime preferenciale, të dhëna nga i njëjti person, së
bashku, nuk e kalojnë këtë vlerë, gjatë së njëjtës periudhë deklarimi;
g) angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi
ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përfshirë çdo lloj të ardhure,
të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim;
gj) interesa privatë të subjektit, që përputhen,
përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës;
h) çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300
000 (treqind mijë) lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit.
Interesat privatë
të llojeve të tjera nga ato të përcaktuara në nenin 4 të këtij
ligji mund të kërkohen të deklarohen periodikisht, nëse kjo është e mundur dhe e përshtatshme për nënlloje interesash brenda këtyre llojeve, të përcaktuara me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm.
2.
Subjektet e përcaktuara në nenin 3/1, të këtij ligji, detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin
e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave interesat
privatë, burimet e krijimit të tyre, si dhe detyrimet financiare, brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me nenin 5/1, të këtij ligji, dhe sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Neni 4/1
Subjektet e këtij ligji, që plotësojnë
deklarimin për herë të parë, sipas nenit 5/1, të tij, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash, jashtë sistemit bankar, mbi shumën 1,5 (një presje pesë)
milionë lekë.
Për subjektet që
deklarojnë sipas nenit 5/1,
të këtij ligji, depozitimi në institucionet
bankare i gjendjeve cash mbi vlerën e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni,
është i detyrueshëm
përpara dorëzimit të deklaratës së interesave privatë në ILDKPKI.
Neni 4/2
Dorëzimi i deklaratave të interesave private
1.
Të gjitha subjektet e ligjit dhe personat
e tjerë të lidhur, që mbartin detyrim
për deklarim, detyrohen të plotësojnë deklaratën e tyre në formë
elektronike me mjetet e komunikimit
elektronik, të vëna në dispozicion nga Inspektorati i Lartë dhe ta paraqesin personalisht, në formë shkresore,
të mbyllur në zarf në strukturat përkatëse
të institucioneve, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj
për të gjitha llojet e deklarimit.
2.
Nëse dorëzimi bëhet personalisht në strukturat përkatëse
të institucioneve, pasqyrohet
në një procesverbal,
që përfshin të dhënat për identifikimin e deklaratës së dorëzuar, datën e dorëzimit dhe nënshkruhet nga nëpunësi dhe marrësi.
3.Deklarata
e dërguar me mjete të komunikimit elektronik konsiderohet e marrë me plotësimin dhe dërgimin në sistemin e deklarimit me
mjetet elektronike.
4.
Subjektet, të cilët nuk janë
zyrtarë në momentin e dorëzimit të deklaratës, e dorëzojnë atë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të
Interesave, sipas përcaktimeve të këtij
neni, përveç kur parashikohet ndryshe në ligj.
Neni 5
Refuzimi për deklarim
1. Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit
dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm, brenda
30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga
puna të personit që refuzon të deklarojë.
Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e
njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit
që ka refuzuar deklarimin.
2. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur
ose nga ata me imunitet, Inspektori i Përgjithshëm vë në dijeni Kuvendin dhe,
kur është rasti, edhe organin epror të personit.
Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me
kalimin e 30 ditëve nga njoftimi i organit përgjegjës, Inspektori i
Përgjithshëm detyrohet t’i bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.
Neni 5/1
Deklarimi para fillimit të punës
1. Të gjitha subjektet, që mbartin detyrimin për
deklarim, sipas këtij ligji, duhet të deklarojnë para fillimit të punës:
a) të gjitha pasuritë e grumbulluara, detyrimet
financiare dhe interesat e tjerë të përcaktuar në nenin 4 të këtij ligji,
përfshirë burimet e krijimit të tyre;
b) angazhimet në veprimtari private me qëllim
fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, që ekzistojnë në datën e
fillimit të punës, përfshirë çdo lloj të ardhure të krijuar nga këto angazhime
ose veprimtari, nga data 1 janar deri në datën e fillimit të punës të vitit të
deklarimit.
2. Deklarimi para fillimit të punës dorëzohet jo më
vonë se 30 ditë nga data e fillimit të detyrës.
Neni 6
(Shfuqizohet)
Neni 7
Deklarimi periodik vjetor
1. Në deklarimin periodik jepen vetëm ndryshimet e
ndodhura në pasuritë, detyrimet financiare dhe interesat privatë, të deklaruar
më parë, sipas nenit 6 të këtij ligji, ata të lindur gjatë vitit që deklarohet
dhe çdo e ardhur e fituar dhe shpenzim i deklarueshëm, i kryer gjatë gjithë
vitit për të cilin bëhet deklarimi.
2. Deklarimi para fillimit
të punës, sipas nenit 5/1, të këtij ligji, dhe ai pas largimit nga funksioni,
sipas nenit 7/1, të këtij ligji, janë raste të veçanta të deklarimit periodik.
3. Të gjithë zyrtarët dhe
personat e tjerë të lidhur, që mbartin detyrim për deklarim, detyrohen të
paraqesin deklaratën e tyre deri më 31 mars të çdo viti, pranë autoritetit ose
strukturës përgjegjëse të institucionit publik, të parashikuar në
legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin
e funksioneve publike.
4.
Kur zyrtari transferon të drejtat e zotërimit aktiv të aksioneve ose të pjesëve në kapital, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin
e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, në deklarimin periodik,
për sa kohë vazhdon kjo gjendje, ai deklaron vetëm gjendjen e këtyre të drejtave para transferimit dhe frytet e pasurisë, të cilat ai ka marrë efektivisht gjatë vitit për të cilin bëhet deklarimi.
5.
Për qëllim të deklarimit
para fillimit të detyrës, periodik
vjetor apo pas largimit nga funksioni, sipas pikave të mësipërme të këtij neni, ndër
personat e lidhur me zyrtarin, mbartin detyrim për deklarim vetëm bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/esja dhe fëmijët madhorë.
Neni 7/1
Deklarimi pas largimit nga funksioni
1. Deklarimi pas largimit nga funksioni kryhet
vetëm një herë për periudhën nga deklarimi i fundit deri në datën e largimit,
me përjashtim të rastit kur zyrtari fillon punë në një detyrë tjetër, që, sipas
këtij ligji, vazhdon të mbartë detyrimin për deklarim.
2. Në deklarimin pas largimit nga funksioni jepen
vetëm ndryshimet e ndodhura në pasuritë, detyrimet financiare dhe interesat
privatë, për periudhën nga deklarimi i fundit deri në datën e largimit nga
funksioni.
3. Deklarimi kryhet jo më vonë se 15 ditë nga data
e largimit nga funksioni.
Neni 8
(Shfuqizohet)
Neni 9
Deklarimi me kërkesë
1. Inspektori i Përgjithshëm ka detyrimin të
kërkojë deklarimin e pasurive e të interesave privatë dhe burimet e krijimit të
tyre, sipas kërkesave të këtij ligji, si dhe të urdhërojë kontrollin për
saktësinë e këtyre deklarimeve edhe për individët ose personat fizikë e
juridikë, kur, nga verifikimet e kryera, rezulton se këta të fundit janë
persona të lidhur me subjektet që mbartin detyrimin për deklarim periodik.
2. Vlerësohet person i
lidhur, në zbatim të pikës 1, të këtij neni, edhe i besuari, sipas kuptimit të
përcaktuar në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të
interesave në ushtrimin e funksioneve publike, si dhe bashkëjetuesi, sipas
kuptimit të përcaktuar nga Kodi i Familjes.
3. Inspektori i
Përgjithshëm, për efekt të verifikimit të deklarimit të të ardhurave, në
përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, i dërgon
ministrit përgjegjës për financat dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve
informacion për listën e individëve, të cilët kanë rezultuar persona të lidhur
me subjektet deklaruese që mbartin detyrim për deklarim, sipas pikës 1 të këtij
neni.
Neni 9/1
Autorizimi i kontrollit
Deklarimi i pasurisë dhe i interesave privatë
shoqërohet me një autorizim të veçantë, ku deklaruesi autorizon organet e
përcaktuara në këtë ligj të verifikojnë të gjitha subjektet, private e publike,
brenda dhe jashtë vendit, për të dhënat e deklaratës.
Mosdhënia e autorizimit brenda 15 ditëve nga
mbarimi i afatit për deklarim përbën shkak ligjor për ndërprerjen e
marrëdhënieve të punës, sipas legjislacionit përkatës.
Neni 10
(Shfuqizohet)
(Ref.Neni 50 të Ligjit nr.9367, datë 7.4.2005)
KREU II
ORGANET, KOMPETENCAT DHE STRUKTURA
Neni 11
Inspektori i Përgjithshëm
1.
Organi përgjegjës për kontrollin e deklarimit të pasurive është Inspektori i Përgjithshëm.
2.
Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi
për një mandat 7-vjeçar.
3.
Kuvendi i Shqipërisë, jo më vonë se tre
muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në pikën
2, të këtij neni, publikon shpalljen për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm.
4.
Në
rastet e mbarimit të mandatit, sipas nenit 14, të këtij ligji, shpallja
për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm bëhet kryesisht nga Kuvendi, brenda
10 ditëve nga krijimi i vakancës.
5.
Çdo shtetas,
i cili plotëson
kushtet e nenit 12, të këtij ligji, mund të paraqesë në Kuvend
kandidaturën për Inspektor
të Përgjithshëm. Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës, që provon
përmbushjen e kushteve ligjore dhe kritereve objektive.
6.
Lista
e kandidatëve i kalon komisionit të përhershëm të Kuvendit që mbulon çështjet
ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe kushteve përkatëse. Komisioni shqyrton kandidaturat dhe zbaton procedurat, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Komisioni përzgjedh të paktën dy kandidatë, sipas procedurës së mësipërme, të cilët i kalojnë
Kuvendit për votim.
7.
Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm me 3/5 e anëtarëve
të tij në votimin e parë. Në rast se kjo shumicë votash nuk arrihet, Kuvendi zhvillon votimin e dytë jo më vonë se 7 ditë
nga përfundimi pa sukses i votimit
të parë. Në votimin e dytë, Kuvendi zgjedh
Inspektorin e Përgjithshëm
me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve
të tij.
8.
Inspektori i Përgjithshëm bën deklarimin e parë të pasurisë brenda 30 ditëve nga zgjedhja e tij dhe çdo vit, sipas nenit 4, të këtij ligji, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
9.
Pas
përfundimit të mandatit, me
pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin ose
detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në
një vend të barasvlershëm
me vendin e mëparshëm. Ai
nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet
kur shkarkohet për shkelje të rëndë të ligjit ose për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Inspektorit të Përgjithshëm
Neni 12
Kushtet dhe kriteret për t’ u zgjedhur
1. Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që
në momentin e kandidimit përmbush këto kushte ligjore:
a)
të ketë mbaruar
arsimin e lartë juridik ose ekonomik
në profilin financë, Diplomë e Nivelit të Dytë;
b)
të ketë vjetërsi në
profesion, si jurist ose ekonomist financier, jo më pak se 15 vjet;
c)
të mos jetë i
dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;
ç) të mos jetë anëtar
i partive politike, deputet, ministër, zëvendësministër, pjesëtar në strukturat
e Policisë së
Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.
2. Kandidati që përmbush kushtet ligjore, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni zgjidhet
Inspektor I Përgjithshëm në bazë të këtyre
kritereve objektive:
a)
vjetërsisë në
profesion;
b)
përvojës së veçantë
profesionale në fushën e së drejtës penale/administrative ose veprimtarinë audituese;
c)
ecurisë gjatë kryerjes
së arsimit të lartë;
ç) të gëzojë integritet të lartë moral, ku përfshihen, ndër të tjera, transparenca
e plotë dhe e dokumentuar e
të gjitha të ardhurave dhe aseteve,
pagimi i të gjitha detyrimeve tatimore, si dhe informacionet zyrtare, të marra nga institucione të tjera publike, përfshirë dhe informacionet konfidenciale.
Neni 13
Papajtueshmëritë
Funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm është i
papajtueshëm me:
a) çdo funksion tjetër publik;
b) çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me
përjashtim të mësimdhënies;
c) anëtarësimin në partitë politike dhe
pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre.
Neni 14
Mbarimi i mandatit
1. Mandati i Inspektorit të Përgjithshëm mbaron
kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë
për kryerjen e një krimi;
b) nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj;
c) jep dorëheqjen;
ç) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet
i paaftë për të vepruar.
2. Inspektori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga
Kuvendi vetëm me kërkesë të motivuar të jo më pak se një së tretës së
deputetëve:
a) për shkelje të
dispozitave të këtij ligji;
b) kur kryen
veprimtari që krijon konflikt interesash;
c) kur zbulohen raste
të papajtueshmërisë së funksionit të tij;
3. Në këtë rast Kuvendi
vendos me tre të pestat e gjithë anëtarëve të tij.
Neni 15
Kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm
1.Inspektori i
Përgjithshëm ka këto kompetenca:
a) drejton Inspektoratin e
Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për
të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të
deklaruara dhe konfliktit të interesave nga subjektet e parashikuara nga ky
ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
a/1. Drejton Inspektoratin
e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave
në zbatim të legjislacionit në fuqi për sinjalizimin dhe mbrojtjen e
sinjalizuesve.
b) njofton, rast pas
rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat,
Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e
Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së
Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit e
institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë
nga punonjësit në juridiksionin e tyre.
2. Inspektorati i Lartë i
Deklarimit dhe Kontrollit
të Pasurive dhe Konfliktit
të Interesave u përcjell organeve
kompetente për hetimin e shkeljeve disiplinore, një raport të arsyetuar,
të shoqëruar me dokumentacionin
që lidhet me parregullsitë e vërtetuara për pasurinë e deklaruar.
Neni 16
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të
Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, struktura dhe buxheti
1. Inspektorati i Lartë i
Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, që më
poshtë do të quhet “Inspektorati i Lartë”, është person juridik publik, i cili,
nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron deklarimin e
pasurisë, të detyrimeve financiare dhe kontrollin e këtij deklarimi, sipas
përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
2. Shfuqizuar
3. Inspektorët e
Inspektoratit të Lartë gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
4. Inspektorati i
Lartë ka buxhetin e vet të pavarur, të caktuar nga Kuvendi, i cili vendos
numrin dhe pagat e punonjësve të këtij Inspektorati me propozim të Inspektorit
të Përgjithshëm.
Neni 17
Kompetencat e Inspektoratit të Lartë
Inspektorati i Lartë ka
këto kompetenca:
a) ushtron kontrollin e
drejtpërdrejtë të deklarimeve në emërtesë të tij;
b) mbledh të dhëna, kryen
hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që kanë
detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në përputhje me Kodin e Procedurave
Administrative. Mbledhja e të dhënave bëhet në përputhje me legjislacionin në
fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe me legjislacionin në fuqi për
informacionin e klasifikuar.
c) bashkëpunon me
autoritetet përgjegjëse të institucioneve shtetërore për zbatimin e këtij
ligji, legjislacionit për parandalimin e konflikti të interesave në ushtrimin e
funksioneve publike, si dhe ligjit për sinjalizimin dhe mbrojtjen e
sinjalizuesve;
ç) bashkëpunon me organet
e auditimit dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për luftën kundër
korrupsionit dhe krimit ekonomik.
d)bashkëpunon me institucionet e tjera sipas
parashikimeve në legjislacionin në fuqi.
Neni 18 (Shfuqizohet)
Inspektoratet e ulëta
(Ref. Neni 41, pika 2 të Ligjit Nr.9367, date
07.04.2005).
Neni 19 (Shfuqizohet)
Kompentencat e inspektoratit të ulët
Neni 20 (Shfuqizohet)
Përbërja e inspektoratit të ulët
(Ref. Neni 41, pika 2 dhe neni 42, pika 3 të Ligjit
Nr.9367, date 07.04.2005)
KREU III
ORGANIZIMI I DEKLARIMIT DHE KONTROLLI
Neni 21
Deklarimi
Deklarimi i pasurive, i burimeve të tyre, i
detyrimeve financiare bëhet sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe në
formën e përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Deklarimi përfshin pasurinë
e subjektit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es dhe
fëmijëve në moshë madhore), burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të
subjektit. Deklarimi duhet të përmbajë edhe faktin nëse deklaruesi/ja ka ose jo
persona të tjerë të lidhur.
Neni 22
Deklarimi i pjesëtarëve të familjes
Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në
organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo
anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim.
Anëtari i familjes dhe personi i lidhur
me subjektin deklarues mban
përgjegjësi ligjore për vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të deklaruara.
Neni 23 (Shfuqizohet)
Paraqitja e deklarimit dhe afatet
Neni 24
Përpunimi paraprak
Inspektorati i Lartë bën përpunimin paraprak të
deklarimeve, i cili përfshin juridiksionin, rregullsinë e plotësimit të
deklaratës dhe të anekseve të saj.
Kur nga përpunimi paraprak vërtetohen gabime
materiale, mospërputhje midis deklaratës së dorëzuar personalisht në formë
fizike dhe deklaratës së dorëzuar me mjete të komunikimit elektronik, ose
plotësime të gabuara, Inspektorati njofton subjektin që ka paraqitur këto
deklarime, i cili, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar
t’i ndreqë ato.
Deklaratat e interesave private pas dorëzimit dhe
regjistrimit kalojnë menjëherë në skanimin fizik dhe ruhen në sistemin e
programuar elektronik të ILDKPKI-së.
Vetëm pas përfundimit të procedurave të skanimit
deklaratat e interesave private kalojnë në përpunimin paraprak, kontrollin
aritmetik e logjik dhe me pas në kontroll të plotë.
Procedurat e pranimit, skanimit dhe përpunimit
paraprak miratohen nga Inspektori i Përgjithshëm.
Neni 25
Llojet e kontrollit
1.Kontrolli aritmetik dhe logjik kryhet për çdo
deklarim për të vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar,
saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të
pasurive nga burime të deklaruara.
Ky proces kontrolli, kryhet brenda vitit kalendarik
të dorëzimit të deklaratave të interesave private të zyrtarëve dhe personave të
lidhur me ta në ILDKPKI.
2.Shfuqizuar
3. Metodikat dhe manualet e ushtrimit të kontrollit
miratohen nga Inspektori i Përgjithshëm.
Neni 25/1
Kontrolli i plotë i deklaratës së pasurive dhe
interesave privatë
1. Kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë
dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e pasurisë dhe të
interesave privatë kryhet:
a)çdo 2 vjet për Presidentin e Republikës, deputetët, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrin,
zëvendësministrin, gjyqtarin
e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatin e Popullit, anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarin e organeve rregullatore ose të mbrojtjes së konkurrencës, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatorin dhe anëtarët
e Këshillit Mbikëqyrës të saj;
b)
çdo 3 vjet për prefektët, kryetarët e bashkive dhe këshillit të qarkut, nëpunësin civil të nivelit të lartë drejtues të administratës publike, zyrtarët e nivelit të lartë drejtues të administratës doganore dhe tatimore, gjyqtarët e apelit, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, prokurorët e apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit;
c) çdo 4 vjet për titullarët e institucioneve
shtetërore, qendrore ose vendore, dhe anëtarët e organeve kolegjiale të këtyre
institucioneve, të papërfshira në shkronjat e mësipërme të kësaj pike.
ç) çdo 4 vjet për të gjithë gjyqtarët e gjykatës së
shkallës së parë dhe prokurorët e rrethit gjyqësor të shkallës së pare;
d)
çdo 5 vjet për zyrtarët e tjerë të papërfshirë në shkronjat e mësipërme
Pika 2 dhe 3 shfuqizohen.
4. Kontrolli ose rikontrolli i plotë i deklarimit
kryhet çdo herë nga Inspektori i Përgjithshëm, kur ai ka të dhëna, nga burime
të ligjshme, që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që
përmbahen në deklarimin e një zyrtari, si dhe kur ka mospërputhje, që
rezultojnë nga kontrolli aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk
mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.
5. Kontrolli i plotë dhe
hetimi administrativ i kryer nga Inspektorati i Lartë përfundon brenda 6 muajve
pas fillimit të tij, i cili mund të zgjatet në përputhje me kërkesat e Kodit të
Procedurave Administrative.
Neni 25/2
Hetimi administrativ
1. Kur nga rezultatet e verifikimit të deklarimit
rezulton se burimet nuk mbulojnë apo justifikojnë pasuritë ose kur për një
deklaratë, pavarësisht nëse ka kaluar apo jo në kontroll të plotë, ka të dhëna,
nga burime të ligjshme, për fshehje të interesave dhe të çdo të dhëne tjetër
private, që është e detyrueshme të deklarohet, ose deklarime të rreme,
Inspektori i Përgjithshëm nis hetimin administrativ.
2. Mbledhja e të dhënave, kryerja e kontrollit të
plotë dhe hetimi administrativ bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave
Administrative.
Neni 26
Detyrimi për të dhënat
Për kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e të
dhënave të deklaratës, Inspektorati i Lartë ka të drejtë të shfrytëzojë të
dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat
juridikë publikë e privatë.
Nëse të dhënat e
përcaktuara në këtë nen ruhen dhe administrohen në formë elektronike ose nëse
përpunimi dhe përditësimi i tyre kryhet në format elektronik ose ndërfaqje
elektronike, institucioni publik ose personi juridik publik apo privat ka
detyrimin të japë informacionin e kërkuar nëpërmjet sistemit elektronik të
Inspektoratit të Lartë, i cili do të mundësojë ndërlidhjen dhe shkëmbimin e të
dhënave të regjistruara në regjistrat apo bazën e të dhënave elektronike të
këtyre autoriteteve.
Niveli i aksesimit për
secilin rast bëhet nëpërmjet niveleve të sigurisë, me qëllim kryerjen e
kontrollit dhe verifikimin e të dhënave të deklaratës.
Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm, apo
inspektorëve të autorizuar prej tij, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e
tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e
Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe
transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për
deklarim.
Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në
dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e
kërkesës me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.
Neni 27
Thirrja e subjektit për të dhënë shpjegime
Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk
janë të sakta ose burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë
pasuritë e deklaruara, Inspektorati i Lartë thërret subjektin për të dhënë
shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat paraqiten kurdoherë
me shkrim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit.
Neni 28
Pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme
(Shfuqizohet)
Neni 29
Thirrja e ekspertëve
Inspektori i Përgjithshëm
ka të drejtë të thërrasë ekspertë të pavarur, të licencuar, të fushave të ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive ose për çështje që këta çmojnë
të arsyeshme.
Ekspertët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave që sigurojnë gjatë ekspertimit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Shpenzimet e ekspertëve përballohen nga buxheti i
Inspektoratit të Lartë.
Neni 30
Dokumentimi i kontrollit
Për çdo deklaratë që i
nënshtrohet kontrollit të Inspektoratit të Lartë plotësohet fleta e kontrollit, sipas mënyrës së përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm,
e cila nënshkruhet nga inspektori që ka ushtruar kontrollin.
Neni 31
Përmbajtja e të dhënave
1. Në bazë të fletëkontrolleve përgatiten raporte, që i
paraqiten për miratim Inspektorit të Përgjithshëm.
Të dhënat duhet të përmbajnë,
në mënyrë të përmbledhur, identifikimin e deklaratave, që i janë nënshtruar
kontrollit, faktet dhe parregullsitë e gjetura, si dhe propozimet për masa disiplinore e gjoba për kundërvajtjet dhe, kur është rasti, propozimet
për kallëzime për ndjekje penale.
2. Kontrolluesi i ILDKPKI-së merr masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, aksidentale, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga
persona të paautorizuar, veçanërisht
kur përpunimi i të dhënave bëhet
në rrjet, si dhe nga çdo
formë tjetër e paligjshme përpunimi, në përputhje me legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave personale
3. Punonjësit e
ILDKPKI-së, që vihen në dijeni për të dhënat e deklarimit të pasurisë, për shkak të ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit
të funksionit. Këto të dhëna nuk përhapen, përveç rasteve të parashikuara me ligj.
Neni 32
Pasuritë e fituara nga fshehja e detyrimeve
fiskale
Kur pasuritë e fituara gjykohen se janë rrjedhojë e fshehjes së detyrimeve fiskale, Inspektori i Përgjithshëm njofton organet tatimore të cilët detyrohen të njoftojnë rast pas rasti Inspektoratin e Lartë për masat e marra.
Neni 33
Ruajtja e dokumenteve
I gjithë dokumentacioni, që ka të bëjë me deklarimin dhe kontrollin e pasurive, arkivohet sipas rregullave dhe ruhet për një periudhë
10-vjeçare. Ky detyrim përfshin
edhe dokumentacionin e deklarimit
të pasurive, i cili u përket periudhave të mëparshme e që është gjendje në
datën e hyrjes në fuqi të këtij
ligji.
Neni 34
Publikimi
1. Të dhënat, që grumbullohen
nga deklarimi, sipas këtij ligji, janë të lejueshme për publikun vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe për mbrojtjen e të
dhënave personale.
2. Deklaratat e interesave privatë janë dokumente zyrtare dhe publikohen në faqen zyrtare
të internetit të Inspektoratit
të Lartë, me të dhënat konfidenciale, personale, të redaktuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Të dhënat e marra nga institucionet
publike dhe/ose private
gjatë ushtrimit të kontrollit,
rikontrollit të deklaratave
të interesave privatë apo hetimit administrativ, përdoren vetëm për qëllime të këtij ligji dhe nuk mund të bëhet publikimi ose shpërndarja e paautorizuar e tyre, në kundërshtim me këtë ligj dhe me legjislacionin në fuqi për publikimin dhe përpunimin e të dhënave personale.
Neni 35 (Shfuqizohet)
(Ref. Neni 42 pika
“d”, “dh” të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).
Neni 36 (Shfuqizohet)
Neni 37 (Shfuqizohet)
(Ref. Neni 44 dhe
45 të Ligjit Nr.9367, date 07.04.2005).
Neni 38
Deklarimi i rremë
Deklaratat dhe të gjitha dokumentet
që i shoqërojnë
ato janë dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën vepër
penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 39
Raportimi
1. Inspektori i Përgjithshëm i raporton Kuvendit,
jo më vonë se më 31 Maj të çdo viti, për veprimtarinë e kryer në vitin
pararendës, si dhe sa herë që
thirret nga Kuvendi.
Inspektori i Përgjithshëm
mund t’i kërkojë Kuvendit ta dëgjojë për çështje që ai i
çmon të rëndësishme.
KREU IV
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 40
Kundërvajtjet administrative
1.
Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj,
kur nuk përbën vepër penale, përbën
kundërvajtje administrative dhe dënohet
me gjobë, sipas kufijve të përcaktuar më poshtë:
a)
Për mosdeklarim para fillimit të detyrës,
periodik vjetor, pas largimit nga funksioni
apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i
lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri
në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
b)
Për moslëshim autorizimi,
sipas nenit 9/1, të këtij ligji, zyrtari dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri
në 200 000 (dyqind mijë) lekë.
c)
Kur nuk jepen të dhënat e kërkuara nga Inspektorati
i Lartë, sipas nenit 26, të këtij ligji, personat përgjegjës të institucioneve publike dhe private dënohen me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë
deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
ç)Kur ekspertët refuzojnë kryerjen e ekspertimit ose kur ata
nuk paraqiten, pa shkaqe të
arsyeshme, për kryerjen e ekspertimit, sipas nenit 29, të këtij ligji, dënohen
me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë
deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
d)
Për shkelje të detyrimit të parashikuar
në nenin 34, pika 3, të këtij ligji, personi
përgjegjës dënohet me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë
deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
dh)
Për shkelje të tjera të këtij ligji, të përcaktuara me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm e të konstatuara gjatë veprimtarisë kontrolluese
të Inspektoratit të Lartë, Inspektori i Përgjithshëm
dënon personat përgjegjës me gjobë në masën nga
200 000 (dyqind mijë) lekë deri në
500 000 (pesëqind mijë) lekë.
2. Të drejtën për vendosjen e masave administrative
për rastet e shkeljeve të mësipërme e ka Inspektori i Përgjithshëm.
3. Procedurat për zbatimin e masave administrative
dhe ankimin ndaj tyre rregullohen sipas Kodit të Procedurave
Administrative dhe dispozitave të legjislacionit
në fuqi për kundërvajtjet administrative.
4. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative
të konstatuara gjatë kryerjes
së inspektimeve të Inspektoratit
të Lartë bëhet jo më vonë se 6 muaj
pas konstatimit të shkeljes.
Neni 41
Ekzekutimi i gjobave
Të ardhurat nga gjobat dhe të ardhurat e tjera të mbledhura në zbatim
të dispozitave të këtij ligji kalojnë të gjitha në Buxhetin e Shtetit,
jo më vonë së 30 ditë nga komunikimi
i gjobës.
Me kalimin e këtij afati, vendimi
i dhënë shndërrohet
në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme
nga punëdhënësi kur kundërvajtësi është në marrëdhënie
pune ose nga zyra e përmbarimit,
me kërkesën e Inspektorit
të Përgjithshëm.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 42
Ligji nr.7903, datë
8.3.1995 “Për deklarimin e pasurive
të të zgjedhurve dhe të disa drejtuesve e punonjësve të shërbimit publik” dhe çdo dispozitë tjetër, që vjen në
kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 42/1
1.
Subjektet që mbartin detyrimin për deklarim
për shkak të funksionit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryeinspektorit dhe inspektorëve
të Inspektoratit pranë Këshillit
të Lartë të Drejtësisë dorëzojnë deklaratat e interesave privatë deri në momentin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
2.
Subjektet që mbartin detyrimin për deklarim
për shkak të funksionit të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët pranë Inspektoratit
të Lartë të Drejtësisë, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme
kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në momentin e krijimin të këtyre institucioneve, sipas legjislacionit në fuqi.
3.
Për efekt të deklarimit të dërguar me mjete të komunikimit elektronik, sipas nenit 4/2, të ligjit, zbatimi i tij kryhet
me përgatitjen dhe vënien në dispozicion të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë. Deri në
momentin e funksionimit të sistemit
elektronik, subjektet e këtij
ligji dhe personat e lidhur mbartin detyrimin për të paraqitur deklaratën e interesave privatë, në formë shkresore
dhe të mbyllur në zarf, në strukturat përkatëse
të institucioneve.
4.
Për efekt të sigurimit të të dhënave dhe informacionit, sipas nenit 26, të ligjit, zbatimi i tij
kryhet me përgatitjen dhe vënien në dispozicion
të infrastrukturës së nevojshme
nga Inspektorati i Lartë.
5.
Për efekt të publikimit të deklaratave të interesave privatë, sipas pikës 2, të nenit 34, të ligjit, zbatimi i tij kryhet
me përgatitjen dhe vënien në funksionim të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë.
6.
Inspektori i Përgjithshëm,
brenda 30 ditëve nga hyrja në
fuqi e këtij ligji, miraton formatin e deklarimit për kandidatët për pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë.
7.
Inspektori i Përgjithshëm
vazhdon të qëndrojë në detyrë edhe pas hyrjes në fuqi
të këtij ligji, deri në plotësimin
e mandatit 7-vjeçar, të parashikuar
në nenin 11, pika 2, të ligjit.
Neni 42/2
1. Për efekt të deklarimit të interesave privatё të dërguar me mjete të komunikimit elektronik, sipas nenit 4/2, të ligjit, të gjithë zyrtarët dhe personat e tjerë të lidhur, që mbartin detyrimin për deklarim, detyrohen të deklarojnë:
a) Në deklarimin periodik vjetor, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare
dhe interesat e tjerë të përcaktuar në këtë
ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, më 31 dhjetor
të vitit të deklarimit.
b) në deklarimin
para fillimit të punës, gjendjen
e pasurisë së grumbulluar,
detyrimet financiare dhe interesat
e tjerë privatё të përcaktuar në këtë
ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, në datën
e fillimit të punës të vitit
të deklarimit.
c) Në deklarimin pas largimit nga funksioni,
gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare
dhe interesat e tjerë privatё të përcaktuar në këtë ligj,
përfshirë burimet e krijimit të tyre, në datën e largimit
nga funksioni.
2. Parashikimet në shkronjat “a” dhe “c” janë të vlefshme vetëm për plotësimin për herë të parë të deklaratës së interesave privatё nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
3. Inspektori i Përgjithshëm, me hyrjen në fuqi
të këtij ligji, merr të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e kësaj pike.
Dispozitë kalimtare
Për efekt të deklarimit të shpenzimeve të deklarueshme, sipas nenit 1 pika
7 të këtij ligji, shpenzime të deklarueshme janë ato që kryhen
me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Në rast mospërputhjesh
midis të dhënave të deklaruara
në deklaratën e dërguar me mjete të komunikimit elektronik dhe të dhënave të deklaruara në deklarimet e mëparshme, përpara funksionimit të sistemit elektronik, sipas parashikimeve
të nenit 42/1, pika 3, të këtij
ligji, do të mbizotërojnë
të dhënat që janë në favor të zyrtarit dhe personave të tjerë
të lidhur, që mbartin detyrimin për deklarim.
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi
15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 194, datë 9 janar 2019.