NJOFTIM PËR SHTYP

Kryeinspektori i ILDKP, Adriatik Llalla: Kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore. Ndryshimet në Kodin Penal do të zbulojnë abuzimin

Zyrtarët dyshohet se fshehin dhjetra milionë euro

Subjektet do të deklarojnë pasurinë elektronikisht. Krijohen lehtësi për shkëmbimin e informacionit mes agjencive të anti-krimit ekonomik

Adriatik Llalla, drejtuesi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në një intervistë për gazetën “Mapo” është treguar i drejtëpërdrejtë në lidhje me veprimet korruptive të zyrtarëve të lartë: “Ka dyshime dhe informacione se zyrtarë të ndryshëm fshehin mbi dhjetra milionë euro asete në emra të personave të afërm apo në rrethin miqësor të tyre”. Z. Llalla deklaron se dyshimet më të mëdha bien tek gjyqtarët, por edhe të drejtuesve të tjerë të institucioneve qëndrore. Nga ana tjetër, në qendër të hetimit të ILDKP, është fenomeni i dhuratave që ofrohen për zyrtarët prej personave të ndryshëm, në të holla, sponsorizime për botim librash, për udhëtime, për pushime apo favore të ndryshme që zyrtarët u bëjnë personave që kanë lidhje financiare me ta, si nëpërmjet përfshirjeve në borde vendimmarëse, etj. Duke i cilësuar si shumë të rëndësishme ndryshimet në Kodin Penal, miratuar pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i ILDKP është i bindur se krijohen hapësirat e duhura për zbulimin e pasurive me burim korrupsionin dhe abuzimin e zyrtarëve me postin publik.

 

Zoti Llalla, muaji mars është periudha kur zyrtarët e lartë detyrohen të deklarojnë pasurinë pranë institucionit tuaj. Ka ndonjë risi në deklarimin e këtij viti?

Deklarimi i pasurisë është një proces i përvitshëm dhe tashmë i njohur dhe zbatohet me korrektësi nga zyrtarët që janë subjekte të ligjit. Deri në fund të muajit mars, të gjithë drejtuesit e nivelit të lartë e të mesës të pushtetit qendror dhe të zgjedhurit vendorë janë të detyruar të deklarojnë ndryshimët në pasuritë e tyre gjatë vitit 2011, pra shtesat ose pakësimet nga viti 2010, si edhe burimet e krijimit të pasurisë nëse ka rritje në asete apo likujditete.

Në përgjithësi, afati i deklarimit respektohet nga mbi 4600 zyrtarët që deklarojnë periodikisht. Përjashtime të rralla ka pasur kryesisht në radhët e drejtuesve lokalë, të cilët janë penalizuar gjatë viteve të mëparshme nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) sipas ligjit.

Gjatë vitit 2012, ILDKP synon të aplikojë deklarimin on-line, i cili do të jetë një zhvillim shumë i rëndësishëm në efektivitetin e institucionit. Projekti për deklarimin on-line, i cili do të realizohet me mbështetjen e OSBE-së, është parashikuar të jetë funksional deri në fund të këtij viti. Për t’i paraprirë këtij projekti të rëndësishëm, Inspektorati i Lartë ka orientuar zyrtarët deklarues të plotësojnë deklaratën e pasurisë në formatin elektronik, të shpërndarë tashmë në çdo institucion dhe që mund të gjendet lehtësisht edhe në faqen zyrtare të internetit. Deklarata e pasurisë plotësohet në kompjuter, printohet, nënshkruhet me firmë origjinale dhe dorëzohet në Inspektoratin e Lartë. Kjo mënyrë do të jetë e përkohshme, deri në momentin që do të bëhet aktiv programi i deklarimit on-line të interesave private.  Kjo nismë nuk paraqet vështirësi praktike për subjektet deklarues, pasi niveli i tyre është në standartet normale të përdorimit të teknologjisë së informacionit.

Nëpërmjet deklarimit on-line, Inspektorati i Lartë krijon një bazë të dhënash të plotë në formatin elektronik, shkurton koston në kohë dhe burime njerëzore që duhet aktualisht për përpunim të dhënash dhe krijon hapësira më të mëdha për verifikime të detajuara në terren të aseteve të dyshuara si të fshehura apo të krijuara në mënyrë abuzive prej zyrtarëve. Gjithashtu, të dhënat që do të administrohen në këtë sistem do të jenë lehtësisht të aksesueshme për agjencitë e tjera që operojnë në fushën e anti-krimit ekonomik dhe financiar. Pra, ky sistem është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve investiguese të institucionit, një kriter i kërkuar në raportet e Komisionit Evropian për Inspektoratin e Lartë.

Duke qëndruar tek forcimi i kapaciteteve hetuese, një zhvillim pozitiv është konsideruar prej Jush ndryshimi në Kodin Penal i nenit që ka të bëjë me fshehjen e pasurisë. Më konkretisht, si ndikon në punën e Inspektoratit të Lartë ky amendim?

E them me bindje të plotë se ndryshimi në Kodin Penal i nenit 257/a, i cili parashikon dënimet për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë është një nga elementët më të rëndësishëm në forcimin e veprimtarisë investiguese të ILDKP-së. Shkurtimisht, ndryshimi ligjor përcakton përgjegjësi penale për fshehje të pasurisë për “personat e lidhur” me zyrtarin. Deri më tani, për raste të fshehjes apo mosdeklarimit të pasurisë, Inspektorati i Lartë mund të dërgonte kallëzim penal vetëm për zyrtarin. Ky aspekt i kufizuar i përgjegjësisë penale krijonte hapësira të mëdha që zyrtarët, të cilët dyshohet se krijojnë pasuri në mënyrë korruptive, t’i regjistronin ato në emra të personave të afërm apo në rrethin miqësor. Ose një formë tjetër, duke i justifikuar pasuritë korruptive nëpërmjet huamarrjeve pa interes nga persona të ndryshëm. Legjislacioni mbi të cilin ushtron funksionet Inspektorati i Lartë e ka të parashikuar detyrimin për deklarim me kërkesë të pasurisë prej personave të lidhur me interes ekonomik-financiar me zyrtarët. Por dispozita e Kodit Penal, të cilën po e konsiderojmë të vjetër tashmë, nuk parashikonte asnjë përgjegjësi penale për personat e lidhur me zyrtarin në rast se ata refuzonin të deklaronin pasurinë. Kjo mangësi ligjore ka ndikuar negativisht në rezultatet përfundimtare të kontrollit të kryer nga institucioni ynë, sidomos në disa raste që kanë pasur ndjeshmëri të lartë mediatike e publike.

Ndryshimi i fundit në Kod parashikon dënimë penale për personat e lidhur me zyrtarin në rast se refuzojnë të deklarojnë apo bëjnë deklarim të rremë. Pra, këta persona, në momentin që përfshihen në lidhje të dyshimta ekonomike me zyrtarët, do të mbajnë të njëjta përgjegjësi ligjore si edhe vetë subjektet deklarues. Ligjvënësi, nëpërmjet këtij amendimi të Kodit Penal, ka krijuar premisa të rëndësishme për parandalimin efikas të korrupsionit.

Zoti Llalla, sa është realisht i përhapur fenomeni i dhuratave apo favoreve të tjera me përfitues zyrtarët, “huamarrjet pa interes” apo regjistrimi i pasurive të zyrtarëve në emra të personave të tretë?

Krahas rolit të tij parandalues të korrupsionit, në aktivitetin e tij, Inspektorati i Lartë ka evidentuar edhe disa forma të tentativave për fshehje të pasurisë apo mosdeklarimit të saktë të saj, kryesisht në formën e dhuratave; huamarrjeve pa interes; favoreve të ndryshme ndaj personave që bëjnë këto dhurata nëpërmjet përfshirjes në borde të ndryshme vendimmarrëse, etj.

Huamarrja pa interes është përhapur shumë gjatë viteve të fundit të deklarimit. Janë rreth 10 përqind e subjekteve deklarues, të cilët kryejnë veprime financiare, si blerje asetesh apo shtim kapitali nëpërmjet huamarrjeve pa interes në shuma të mëdha.

Nuk dua të paragjykoj askënd pa prova konkrete, por në radhët e gjyqtarëve gjendet një numër i konsiderueshëm i atyre subjekteve që deklarojnë huamarrje pa interes apo borxhe në shuma të mëdha prej të afërmve të tyre apo njerëzve të rrethit shoqëror. Nuk mbeten pas edhe zyrtarë të tjerë, për të cilët krijohet bindja e arsyeshme se manovrojnë nëpërmjet huamarrjeve apo borxheve për të fshehur të ardhurat e korrupsionit. Gjithashtu është përhapur edhe fenomeni i dhuratave në shuma të konsiderueshme të hollash apo në sponsorizime udhëtimesh, pushimesh, botime librash, etj., të cilat krijojnë dyshime të ligjshme për pasuri të krijuara në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët, të cilët i deklarojnë si donacione nga të tretë.

Ndërsa përsa i përket regjistrimit të pasurive të zyrtarëve në emra të tretë, hetimi paraqitet më i vështirë, pasi mangësitë e deritanishme në Kodin Penal nuk na kanë lejuar të hetojmë në thellësinë e duhur të problemit. Në disa raste, Inspektorati i Lartë ka arritur t’i zbulojë këto fshehje dhe janë dorëzuar kallëzime penale në organin e prokurorisë, të cilat janë bërë në çdo rast të ditura për publikun. Në institucionin tonë mbërrin shpesh informacion për pasuri të paluajtshme të zyrtarëve të ndryshëm, të regjistruara në emra të tretë. Amendimi fundit i Kodit Penal i krijon mundësi Inspektoratit të Lartë të verifikojë në këtë drejtim, pra krijohet aksesi ligjor për të verifikuar huamarrjet pa interes, dhuratat apo regjistrimet e pasurive në emra të të tretëve. Informacioni i mbërritur nga publiku, për të cilin duhet të them se është i shumtë pranë institucionit tonë, hedh dyshime për asete të patundshme të zyrtarëve të ndryshëm të regjistruara në emra të tjerë, vlera e të cilave arrin në shifra shumë të mëdha, disa dhjetra milionë euro ose edhe më shumë.  Gjithësesi, detaje të mëtejshme do të bëhen publike në çdo rast, shoqëruar me sanksionet përkatëse.