NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektori i Përgjithshëm takim pune me Zyrën Homologe të Kosovës

Inspektori i Përgjithshëm, zoti Ganaj, priti në një vizitë pune Drejtorin e Agjencisë kundër Korrupsionit në Kosovë, zotin Hasan Preteni.

Takimi ndërmjet dy krerëve të institucioneve të angazhuara në luftën kundër korrupsionit u realizua me ftesë të Inspektorit të Përgjithshëm për homologun e tij, zotin Preteni. Në këtë vizitë pune, Inspektori i Përgjithshëm prezantoi për homologun aktivitetin institucional, prioritetet e tij, si dhe masat e marra në funksion të përmbushjes së angazhimeve institucionale.

Zoti Preteni, i cili shoqërohej nga Drejtori i Drejtorisë së Deklarimit të Pasurisë dhe Drejtori i Parandalimit të Konfliktit të Interesave, pasi përgëzuan zotin Ganaj për zgjedhjen e tij në këtë funksion, shprehën bindjen që tashmë rezultatet e një lidershipi të ri institucional janë të dukshme, konkrete dhe në funksion të plotë të luftës kundër korrupsionit.

Takimi mes dy krerëve të institucioneve ligjzbatuese dhe përfaqësuesve më të lartë të dy këtyre institucioneve, të pranishëm në takim, vijoi me diskutimin konkret të problematikave me të cilat përballet Inspektorati i Lartë dhe Agjencia kundër Korrupsionit.

Palët ranë dakort që në mënyre periodike të shkëmbenin informacion ndërmjet tyre për shtetasit shqiptarë që disponojnë pasuri të formave të ndryshme në Kosovë, pasuri që mund të jetë në emër të tyre apo dhe të familjarëve të tyre. Gjithashtu edhe Inspektorati i Lartë do të vërë në dispozicion të Agjencisë informacion mbi shtetasit kosovarë, subjekt të ligjit për deklarimin e pasurisë, të cilët në emër të tyre, por jo vetëm, zotërojnë pasuri në Shqipëri.

Një problematikë tjetër që u prezantua si shqetësim nga palët, dhe për të cilën palët do të bashkëpunojnë intensivisht në të ardhmen, është dhe fakti që zyrtarë të cilët mbartin detyrimin për deklarim, me qëllim fshehjen  dhe mosdeklarimin e shpenzimeve të kryera përtej pragut ligjor, përdorin aeroportin e Prishtinës për udhëtime në vende të ndryshme të botës. Shmangia e detyrimeve ligjore përmes formave alternative të fshehjes së pasurisë, apo të shpenzimeve të kryera nga zyrtarët të cilët mbartin detyrim për deklarim, do të jetë prioritet i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në rrugë operacionale.

Forcimi i kapaciteteve investiguese, ndryshimet e fundit ligjore, impakti i tyre në opinionin publik si dhe numri gjithnjë e në rritje i rasteve të kallëzuara për ndjekje penale nga Inspektorati, ishin pjesë e këtij takimi.

Nga ana e tij edhe Zoti Preteni paraqiti arritjet e institucionit që ai drejton, nevojat e mëtejshme, si dhe bashkëpunimin në rritje me opinionin publik dhe shoqërinë civile.

Në fund të vizitës së punës, Zoti Preteni dhe Zoti Ganaj, u angazhuan personalisht dhe maksimalisht për vijimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, duke synuar krijimin e një bashkëpunimi model për institucionet homologe të rajonit.

________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN