+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati i Lartë publikon Manualin Shpjegues dhe Trajnues mbi Rolin e Autoriteteve Përgjegjëse në Parandalimin e Konfliktit të Interesave, të përgatitur në bashkëpunim me OSBE, Prezenca në Shqipëri

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, në funksion të rolit të tij parandalues dhe ndërgjegjësues, ofron asistencë ligjore dhe teknike, jo vetëm për zyrtarët të cilët janë subjekt deklarimi, por dhe për Autoritetet Përgjegjëse, si struktura thelbësore të punës së ILDKPKI.

Inspektorati i Lartë, në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetjen e OSBE-së Prezenca në Shqipëri, gjatë vitit 2012-2013 ka hartuar Manualin Shpjegues dhe Trajnues mbi Rolin e Autoriteteve Përgjegjëse në Parandalimin e Konfliktit të Interesave. Ky dokument orientues, i vjen në ndihmesë rolit të Autoritetit Përgjegjës në unifikimin e praktikës së punës së tyre, si një ndër strukturat kryesore për parandalimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit te interesave brenda institucionit ku ato ushtrojnë funksionet e tyre.

Vetëm gjatë këtyre ditëve, u mundësua shpërndarja e këtij manuali pranë çdo institucioni qëndror dhe lokal. Inspektorati i Lartë, përmes Autoriteteve Përgjegjëse, konstatoi nevojat e tyre që publikimi i këtij Manuali të vijojë më tej me një sërë trajnimesh dhe seminaresh, në nivel qëndror dhe lokal, për të cilat Inspektorati i Lartë do të marrë masat e menjëhershme për hartimin e kurrikulave trajnuese në përputhje me praktikat e punës të unifikuara dhe të bëra prezente në këtë Dokument.

Inspektorati i Lartë, përmes formave të ndryshme, gjithnjë ka qenë pranë subjektëve deklarues dhe Autoriteteve Përgjegjëse, në ofrimin e asistencës teknike dhe ligjore.

_________________________________________

ZYRA E MARRËDHËNIEVE ME MEDIAN