NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP zhvillon analizën 6-mujore

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive zhvilloi sot analizën e aktivitetit institucional për periudhën 6-mujore (janar-qershor 2010).

Inspektori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në fjalën e tij, vlerësoi disa nga arritjet e deritanishme të institucionit, ku theksoi evidentimin gjithnjë e në rritjet të rasteve të konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Gjithashtu, një tjetër zhvillim pozitiv ishte edhe zbulimi dhe dërgimi në organin e prokurorisë të disa zyrtarëve të niveleve të ndryshme, për “fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë”.

Pjesë e analizës ishin edhe diskutimet mbi mënyrat e forcimit të kapaciteteve investiguese. Z. Llalla kërkoi më shumë angazhim nga stafi i Inspektoratit të Lartë, për evidentimin në kohë dhe zbulimin e rasteve të tjera të fshehjes së pasurisë, për të cilat ka dyshime të forta nga burime të ligjshme, nga media, publiku dhe shoqëria civile.

Duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka institucioni në luftën kundër korrupsionit, Inspektori i Përgjithshëm kërkoi përmirësimin e disa aspekteve të aktivitetit profesional, të cilat kanë nevojë për një ritëm më të lartë.

Gjatë diskutimeve të analizës, stafi i Inspektoratit të Lartë, theksoi nevojën e disa ndryshimeve në ligjin ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm efektet e institucionit në performancën profesionale, duke forcuar edhe perceptimin e publikut mbi punën e ILDKP.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN