+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

FJALIM I INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM, Z. ADRIATIK LLALLA
SHERATON – 2 MARS 2010


I nderuar z. Ambasador i OSBE
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra
Të nderuar pjesëmarrës

Dy muaj më parë përfunduam një seri trajnimesh me një rezultat tejet domethënës; më shumë se 600 zyrtarë të administratës qendrore tashmë janë njohës të mirë të masave parandaluese dhe të shmangies së konfliktit të interesave.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian, si edhe me angazhimin maksimal të 5 ministrive, arriti të krijojë një mekanizëm shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Funksionarët e të gjitha niveleve në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Bujqësisë u bënë pjesë e aktive e takimeve trajnuese, duke dëshmuar angazhimin e lartë të administratës publike shqiptare për parandalimin e fenomeneve korruptive në institucionet publike.

Parandalimi i konfliktit të interesave është një ndër masat më të rëndësishme për të shmangur korrupsionin. Për këtë arsye, investimi ynë i përbashkët do të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e imazhit të zyrtarëve përpara opinionit të gjerë publik.

Inspektorati i Lartë, i vetëdijshëm për rolin e tij në këtë sfidë madhore të të gjithë shoqërisë shqiptare, ka nisur të dëshmojë vendosmëri në ndëshkimin e rasteve me konflikt interesi. Fakt janë edhe rastet e publikuara së fundmi në media për aplikimin e sanksioneve ligjore për zyrtarët që nuk respektojnë kërkesat ligjore.

Inspektorati i Lartë, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera publike dhe partnerët ndërkombëtarë, ka zhvilluar për një kohë relativisht të gjatë aktivitet ndërgjegjësues për zyrtarët, mbi rëndësinë e zbatimit rigoroz të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave. Tashmë, fokusi i punës sonë është përqendruar kryesisht në ndëshkimin e rreptë të elementit korruptiv.

Shqipëria po punon me hapa të shpejtë për të realizuar aspiratën kombëtare, integrimin në Bashkimin Evropian dhe toleranca ndaj abuzuesve me pushtetin publik e vonon realizimin e këtij qëllimi madhor. Prandaj, angazhimi ynë sot dëshmon se vendi ynë ka institucione me vizion të qartë për të ardhmen.