+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP firmos Memorandum Bashkepunimi me homologët e Sllovenisë.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) zgjeron hartën e bashkëpunimit rajonal, nëpërmjet firmosjes së Memorandumit të Bashkëpunimit me Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit të Sllovenisë.

Në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin Ljubljanë, më dt.29.05.2009, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla dhe homologu i tij slloven, z. Dragos Kos, u angazhuan në emër të institucioneve të tyre për “të bashkëpunuar në bazë të një partneriteti me qëllim përmirësimin e veprimtarisë institucionale në kuadër të luftës anti-korrupsion, ndarjes së praktikave më të mira në zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave dhe të deklarimit të interesave private të të zgjedhurve dhe të nëpunësve publikë”.

Në bazë të aktit të firmosur, palët angazhohen në hartimit të strategjive dhe politikave rajonale që plotësojnë kuadrin e parandalimit të korrupsionit në fushat e veprimtarisë institucionale respektive; si edhe në shkëmbimin e eksperiencave në procedurat e deklarimit të interesave private dhe të trajtimit të rasteve të konfliktit të interesave.

Firmosja e Memorandumit të Bashkëpunimit u konsiderua domosdoshmëri prej dy agjencive homologe, duke marrë në konsideratë që parandalimi i korrupsionit është po aq i rëndësishëm sa identifikimi, investigimi dhe procedimi i aferave korruptive, si edhe duke marrë në kosideratë që bashkëpunimi ndërkombëtar në secilin prej këtyre aspekteve, nxit përpjekjet e palëve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Memorandumi i firmosur në Slloveni është i tretë në hapësirën rajonale për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Më parë janë marrëveshje të tilla me zyrat homologe të Malit të Zi dhe Rumanisë.