NJOFTIM PËR SHTYP

Z. Adriatik Llalla merr zyrtarisht detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm
të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Z. Adriatik Llalla mori sot në dorëzim detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) në një takim të organizuar nga Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, në Pallatin e Brigadave, ku ishte e pranishme edhe znj. Fatmira Laska, e cila e drejtoi institucionin për periudhën 2003-2008.

Më pas, z. Llalla, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, z. Aleksandër Flloko, dhe nga Këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit, z. Artur Metani, u prezantua me stafin e ILDKP-së.

Në fjalën e tij para punonjësve, z. Llalla shprehu vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës dhe Kuvendit e Shqipërisë për besimin që i dhanë duke e zgjedhur në krye të Inspektoratit të Lartë, si edhe shprehu bindjen se puna e suksesshme e deritanishme e institucionit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Z. Adriatik Llalla ishte një ndër dy kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës për drejtues të ILDKP-së më 14.7.2008 dhe u zgjodh në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm nga Kuvendi i Shqipërisë më 9.10.2008.

Z. Llalla, me profesion jurist, ka lindur më 9.10.1969. Ka kryer më parë detyrën e; prokurorit në Prokurinë e rrethit Lushnje, prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Kavajë, prokuror dhe titullar në Prokurorinë e Rrethit Fier, zv.titullar dhe prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, si edhe kryetar i Këshillit të Prokurorisë.

Në bazë të ligjit nr.9049, dt.10.4.2003, z. Adriatik Llalla, do të drejtojë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për një mandat 5-vjeçar.