Inspektori i Përgjithshëm

Curriculum Vitae

 

Me Vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, datë 20 shkurt 2014, zoti Shkëlqim Ganaj është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

I lindur më 10 maj të vitit 1970, zoti Ganaj, vjen në krye të këtij institucioni pas një eksperience 22 vjeçare si Jurist, në funksione të ndryshme në institucionet e drejtësisë shqiptare. Karriera e tij filloi si Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke vijuar me pas si Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për një periudhe 10-vjeçare. Njëherazi, zoti Ganaj, ka një përvojë dhe në pozicione drejtuese të institucioneve të administratës publike në vendin tonë.

Zoti Ganaj e ka nisur karrierën e tij si gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit sapo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Është diplomuar në vitin 1992 dhe po atë vit emërohet gjyqtar në Elbasan.

Në vitin 1995 zoti Shkëlqim Ganaj transferohet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në detyrën e Prokurorit, post që e mban deri në vitin 2003.

Që nga krijimi i Inspektoratit të Lartë, si një ndër institucionet e para të pavarura në vendin tonë, në vitin 2004, zoti Ganaj ka punuar pranë këtij institucioni në pozicionin e Inspektorit të Lartë. Eksperienca e përftuar që në fillesat e këtij institucioni, bën që Zoti Ganaj të ketë, aftësinë dhe pjekurinë e duhur institucionale në drejtimin e këtij institucioni.

Inspektori i Përgjithshëm, zoti Ganaj, ka qenë përfaqësues i ILDKPKI në Njësitë e Përbashkëta Hetimore për Krimin Ekonomik, Anti-Korrupsionin dhe Pastrimin e Parave, që në vitin 2009, ku u përfshi dhe Inspektorati i Lartë si palë nënshkruese e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet institucioneve nënshkruese.

Zoti Ganaj ka qenë përfaqësues i ILDKPKI i Programit të Ndihmës dhe Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT), program i sponsorizuar nga Departamenti i Drejtësisë që synon përmirësimin e Drejtësisë Penale në Shqipërisë dhe sektorin e zbatimit të ligjit, që funksionon pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.

Inspektori i Përgjithshëm ka qenë anëtar i grupit të punës, i amendimeve dhe përmirësimeve ligjore që legjislacioni i ILDKPKI, ka pësuar ndër vite, eksperiencë e cila është shoqëruar me njohjen dhe zbatimin e legjislacionit dhe funksionimin e institucioneve homologe të vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Në vitin 2008 zoti Shkëlqim Ganaj, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin “Për përgjegjësi të lartë e profesionalizëm në kryerjen e detyrës dhe kontribut të vyer në zgjidhjen e problemeve ligjore”.

Zoti Ganaj ka ndjekur një sërë kursesh dhe trajnime profesionale lidhur me sistemin gjyqësor, organin e akuzës, çështje të lidhura me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe menaxhimin e administratës publike, brenda dhe jashtë vendit.

Zoti Ganaj është i martuar dhe ka dy fëmijë.