NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Ganaj, u takua sot në një vizitë pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë Sh.T.Z. Donald Lu, në ambientet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Duke qenë se procesi i deklarimit dhe kontrollit të pasurive, konsiderohet si një mjet i rëndësishëm për parandalimin dhe evidentimin e sjelljeve korruptive të zyrtarëve dhe të zgjedhurve, të dyja palët bashkëbiseduese ndajnë mendimin se ILDKPKI-ja luan një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe se si e tillë ajo duhet inkurajuar dhe mbështetur në kryerjen me sukses të misionit të saj.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, shprehu vlerësimet e tij për punën e deritanishme të ILDKPKI-së, veçanërisht për sa i përket numrit në rritje të kallëzimeve penale të kryera ndaj zyrtarëve të lartë dhe theksoi rëndësinë e trajtimit të tyre me seriozitetin e duhur nga aktorët e sistemit të drejtësisë, prokuroria dhe gjykatat.

Z. Ganaj e siguroi Ambasadorin Sh.T.Z Lu se ILDKPKI është e vendosur në parandalimin e korrupsionit nëpërmjet rritjes së transparencës ndaj publikut dhe ndëshkimin e të gjithë shkelësve të ligjit me qëllim reduktimin e këtij fenomeni, i cili gërryen dita – ditës shoqërinë shqiptare.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN