NJOFTIM PËR SHTYP

Z. Ganaj pret në një vizitë pune Ambasadorin e OSBE, Prezenca në Shqipëri

Inspektori i Përgjithshëm, z. Shkëlqim Ganaj priti në një takim pune Ambasadorin e Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, Prezenca në Shqipëri, Sh.T.Z. Florian Raunig dhe disa anëtarë të stafit të OSBE.

Në takimin e zhvilluar, në fillim të fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm falenderoi Ambasadorin për vizitën e tij dhe të stafit të tij në ambientet e Inspektoratit të Lartë, si dhe e informoi përgjithësisht mbi zhvillimet e fundit institucionale. Z. Ganaj vlerësoi mbështetjen teknike, dhe jo vetëm, që ka pasur Inspektorati i Lartë që në fillesat e tij, dhe siguroi Ambasadorin për vendosmërinë e tij, për ta çuar më tej këtë nivel bashkëpunimi.

Z.Ganaj në fjalën e tij, vuri theksin tek ndryshimet e fundit ligjore, si ndryshime përmes të cilave forcohen kompetencat e Inspektoratit si dhe masat shtrënguese ndaj zyrtarëve të cilët janë subjekt deklarimi dhe gjenden në shkelje të legjislacionit mbi të cilin Inspektorati i Lartë ushtron aktivitetin e tij funksional.

Nga ana e tij, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Sh.T.Z Florian Raunig vlerësoi punën e bërë nga Inspektorati i Lartë në muajt e fundit, impaktin e institucionit tek publiku, si dhe inkurajoi më tej Inspektorin e Përgjithshëm në përmbushjen e detyrës së tij funksionale.

Gjithashtu Ambasadori shprehu rëndësinë e bashkëpunimit institucional, kryesisht në parandalimin e konfliktit të interesave, në radhët e zyrtarëve të niveleve të larta drejtuese.

Inspektori i Përgjithshëm dhe Ambasadori i OSBE, Prezenca në Shqipëri, ranë dakord për një bashkëpunim më konkret dhe me impakt të drejtpërdrejtë, si dhe hartimin e një sërë masash që do të zbatohen gjerësisht për vitin 2015.

Palët ranë dakord mbi rëndësinë që ka ky institucion në luftën kundër korrupsionit, mbështetjen që duhet të ketë, si nga faktori vendas, por dhe ai ndërkombëtar.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN