NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në nenin 25/1, pika 4 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, njofton opinionin publik që ka filluar kontrollin e plotë, rikontrollin dhe hetimin administrativ për të gjithë gjyqtarët pranë gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit.

Inspektorati i Lartë, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, duke synuar mbledhjen e të dhënave të plota dhe të sakta, do të bashkëpunojë në mënyrë intensive me të gjitha institucionet publike e private, bankare financiare dhe jofinanciare, organet e auditimit dhe strukturat e tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Në këtë kuadër, Inspektorati i Lartë, do të shtrijë bashkëpunimin konkret institucional edhe me struktura të tjera të cilat për shkak të natyrës së punës vihen në dijeni të informacioneve që mund t’i shërbejnë objektit të punës së Inspektoratit të Lartë.

ILDKPKI, i ka kërkuar strukturave të specializuara të vendit tonë, si Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP); Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe degëve të tij në qarqe; Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH), përfshirë dhe drejtorive rajonale të qarqeve, në rast se disponojnë informacione që lidhen me objektin e punës së Inspektoratit të Lartë, për pasuri të fshehura ose të vëna në kundërshtim me ligjin, për subjektet e deklarimit, gjyqtar pranë gjykatës së shkallës së parë dhe të apelit, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë.

Në frymën e këtij bashkëpunimi, vlerësojmë si të domosdoshëm bashkërendimin e të gjitha strukturave shtetërore me qëllim evidentimin e rasteve të fshjehjes së interesave private, të mosdeklarimit të pasurive, apo dhe të tjetërsimit të tyre. Nisur dhe nga rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një bashkëpunim konkret institucional; bashkërendim të veprimeve verifikuese; koordinim ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, në funksion të luftës kundër korrupsionit, Inspektorati i Lartë zgjeron gamën e institucioneve bashkëpunuese, si dhe intensifikon bashkëpunimin ndërinstitucional.

ILDKPKI, tashmë po ndjek një politikë të hapur dhe transparente me median, shoqërinë civile, dhe qytetarët.  Ditët e fundit janë shtuar denoncimet e ardhura në adresë të Inspektoratit për raste konkrete të gjyqtarëve, me dyshime të arsyeshme për fshehje të pasurive.

Inspektorati i Lartë, falenderon qytetarët për besimin ndaj institucionit tonë dhe i siguron që tashmë të gjitha rastet e denoncuara prej tyre janë bërë pjesë e verifikimeve që janë në proces. Mbetemi gjithnjë të hapur për denoncime të mëtejshme nga të gjithë faktorët e shoqërisë shqiptare, duke i garantuar jo vetëm për konfidencialitetin e tyre, por dhe duke i siguruar që tashmë, asnjë rast i denoncuar, nuk do të lihet në pluhurin e harresës së kohës.

_______________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN