NJOFTIM PËR SHTYP
ILDKP: Deklaratat e pasurisë së Kryeministrit dhe Ministrave janë në kontroll prej muajit Tetor
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) po zhvillon aktualisht kontrollin e plotë mbi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, të ministrave dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, si edhe ndaj “personave të lidhur” me ta.
Kontrolli ka nisur në muajin Tetor 2012 për shkak të funksionit, bazuar në nenin 17/2 të ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Aktualisht, me amendimet e fundit ligjore, të cilat kanë hyrë në fuqi më 26 Tetor 2012, ky detyrim përcaktohet në nenin 25/1 të ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003 “Për deklarimin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar.
Nisur nga interesi publik mbi kontrollin e interesave private të subjektit me funksion kryeministër, Sali Berisha dhe personave të lidhur me të, ILDKP bën me dije se ndaj subjektit janë zhvilluar disa procedura kontrolli të plotë, në përfundim të të cilëve kanë rezultuar pa probleme. Aktualisht, ILDKP po zhvillon procedurën e kontrollit të plotë për vetëdeklarimin e pasurisë për vitin 2010 dhe 2011 të subjektit me funksion kryeministër.
ILDKP, krahas hetimit administrativ që kryen në bazë të ligjit, fton të gjithë qytetarët që kanë informacione mbi pasuritë e zyrtarë të kabinetit qeveritar, të ofrojnë të dhëna konkrete që do të ndihmojnë në zhvillimin e një hetimi më të plotë mbi pasuritë dhe burimin e krijimit të tyre.
_________________________
ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN