NJOFTIM PËR SHTYP
ILDKP zhvillon analizën vjetore 2011
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka paraqitur prioritetet e vitit 2012 për hetimin e pasurive të zyrtarëve dhe për parandalimin e konfliktit të interesave, të cilat bazohen në projektet e avancuara të teknologjisë elektronike.
Në veprimtarinë e tij, ILDKP do të angazhohet në përgatitjen e sistemit të deklarimit on-line të interesave private, si edhe në shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me institucionet e tjera. Projekti u bë i ditur nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, gjatë analizës vjetore 2011 të institucionit, zhvilluar ditën e martë (17.01.2012).
Në fjalën e tij, z. Llalla përmendi arritjet dhe problematikën me të cilën është përballur Inspektorati i Lartë gjatë vitit të kaluar, si edhe kërkoi angazhimin maksimal të stafit në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe në ndërgjegjësimin e zyrtarëve të administratës publike për zbatimin me korrektesë të kërkesave ligjore.
Referuar rezultateve konkrete, Inspektori i Përgjithshëm bëri një përmbledhje statistikore, ku u fokusua kryesisht te rastet e ndëshkimit të subjekteve për shkelje të ligjit “Për deklarimin e pasurive….” dhe “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”.
Për vitin në vijim, z. Llalla kërkoi rritjen e efektivitetit të proceseve kontrolluese, duke vënë theksin kryesisht në investigimin në terren të pasurive të dyshimta të zyrtarëve.
Albi SERANI
______________________________________
PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN