NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP gjobit 7 zyrtarë për vonesa në deklarim të interesave private (pasurisë)

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) kërkon nga subjektet që deklarojnë interesat e tyre private periodike/vjetore që të respektojnë afatin ligjor, brenda datës 31 Mars 2010, për dorëzimin e formularit me ndryshime (shtesa ose pakësime) të interesave private (pasurisë) gjatë vitit 2009.

Duke rikujtuar sanksionet e parashikuara në nenin 44/c të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sipas të cilit “për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30000 (tridhjetë mijë) lekë”, ILDKP rithekson qëndrimin se do të aplikojë masa administrative përkatëse edhe për çdo zyrtar që fillon punë për herë të parë në një funksion zyrtar deklarues, apo për subjektet që largohen nga detyra, dhe që nuk respektojnë detyrimin për deklarim në afatin e kërkuar ligjor.

Duke iu referuar parashikimeve ligjore, Inspektorati i Lartë ka vendosur masën administrative “gjobë” për 7 zyrtarë, nga të cilët 5 subjekte “para fillimit të detyrës” dhe 2 subjekte “pas largimit nga funksioni”. Këta zyrtarë nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara shprehimisht në ligj; për subjektet e rinj, brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës publike dhe për subjektet që largohen, brenda 15 ditëve nga largimi prej funksionit zyrtar.

Për mosrespektim të afateve ligjore, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vendosi masën administrative për subjektet e mëposhtëm:

 

Emri Funksioni Institucioni Gjoba
1. Ilda Bozo Drejtor M.P.Ç.S.SH.B 20.000 lek
2. Dorjan Duçka Drejtor M.E.T.E 20.000 lek
3. Alma Qamo Këshilltare Aut.Mbikq.Financ. 20.000 lek
4. Altin Kokalari Zv.Drejtor Ujësjellës-Kanal. 20.000 lek
5. Sokol Seseri Ish-Përgj/Sektori D.P.Doganave 20.000 lek
6. Përparim Jaku Përgj/Sektori D.P.Doganave 20.000 lek
7. Vasil Shandro Ish-regjistrues ZVRPP. Lushnje 20.000 lek