NJOFTIM PËR SHTYP
ILDKP evidenton dy raste konflikti interesi në Këshillin e Rregullimit të Territorit (KRRT) të Bashkisë Tiranë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) evidenton dy raste konflikti interesi gjatë procesit të vendimmarrjes në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë Tiranë.
Z. Alban Ethimi dhe z. Arben Biçoku, në kundërshtim me kërkesat e ligjit Nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, kanë marrë pjesë (kanë abstenuar) në votimin për dhënie leje ndërtimi për një studio projektimi e një studio ndërtimi, në të cilat gjenden në pozitat e administratorit/ortakut të vetëm dhe të drejtuesit teknik familjarë të tyre.
ILDKP ka filluar më datë 07.04.2009 hetimin administrativ për konflikt interesi lidhur me proçedurat e vendimmarrjes së mbledhjes së datës 22.03.2009 të KRRT-së së Bashkisë Tiranë mbi bazën e kërkesës të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Po ashtu, bazuar në Vendimin Nr.252, datë 15.05.2009 të Kuvendit të Shqipërisë “Për miratimin e Raportit Përfundimtar të Komisionit Hetimor për hetimin e praktikave dhe proçedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës”, si edhe nga informacionet e të dhënat mediatike, ILDKP, më datë 22.05.2009 ka filluar hetimin administrativ për konflikt interesi në lidhje me proçedurat e vendimmarrjes në mbledhjen e datës 17.04.2009 të KRRT-së së Bashkisë Tiranë.
Në bazë të analizës ligjore lidhur me procedurat e vendimmarrjes në mbledhjet e datës 22.03.2009 dhe datës 17.04.2009 të KRRT së Bashkisë Tiranë, si edhe të deklarimeve të bëra nga dy anëtarët e KRRT-së në ILDKP, u arrit në përfundimin se abstenimi në votimin e kërkesave për leje ndërtimi, i anëtarëve që kanë patur një interes privat direkt ose indirekt në cështjet e kaluara për votim, nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave. Bazuar nenit 37 pika 3 të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”, “zyrtari nuk çlirohet nga përgjegjësia e rënies në konflikt intersi, kur masat e marra nga vetë ai nuk rezultojnë të frytshme në parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave”.
Në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP shprehet se pjesëmarrja e z. Ethimi dhe z. Biçoku në vendimmarrjet e sipërcituara përbën konflikt interesi dhe kërkon të merren masa administrative “gjobë” ndaj dy anëtarëve të KRRT së Bashkisë së Tiranës që nuk kanë zgjidhur konfliktin e interesave në mënyrën e duhur ligjore, në zbatim të nenit 44/1/dh të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005.