NJOFTIM PËR SHTYP

Fjala e Inspektorit të Përgjithshëm mbajtur gjatë takimit të nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit për Ngritjen e 6 Njësive të Përbashkëta Hetimore.

I nderuar Shkëlqësia Juaj, z. Ambasador,

Të nderuar partnerë ndërkombëtare,

Të nderuar drejtues të institucioneve,

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e vlerëson përfshirjen e institucionit tonë në nënshkrimin e këtij Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore.

Bashkëpunimi ndërinstitucional i Inspektoratit të Lartë me organet e auditimit dhe strukturat e tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, përveçse detyrim ligjor, në rradhë të parë do ta konsideroja detyrë morale dhe qytetare të secilit nga ne.

Palët nënshkruese të këtij Memorandum Bashkëpunimi janë ndër institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit të cilat ndajnë të  njëjtin qëllim dhe mision. Në përmbushje të këtij qëllimi dhe misioni madhor, atë të luftës kundër korrupsionit, asnjë nga këto institucione nuk mund të operojë i vetëm, prandaj shpreh bindjen se instrumentë të tillë, si ky Memorandum Bashkëpunimi që po nënshkruajmë sot janë mekanizma thelbësor në funksionimin e një institucioni anti-korrupsion. Personalisht jam i mendimit që instrumentë të tillë janë në funksion të plotë të realizimit të qëllimit të institucionit që unë drejtoj si dhe i shërbejnë forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm institucional. Bashkëpunimi i ndërsjelltë paraqitet si domosdoshmëri imediate e kohës dhe e sfidave me të cilat përballen institucionet ditë pas ditë.

Në këtë aspekt, Inspektorati i Lartë vlerëson angazhimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm me shumë nga këto institucione, palë nënshkruese të Memorandum Bashkëpunimit, dhe njëherazi shpreh besimin se edhe në të ardhmen ky bashkëpunim do të institucionalizohet me veprime konkrete të ndërmarra nga palët e pranishme.

Inspektorati i Lartë është i prirur ndaj vendosjes së urave të bashkëpunimit institucional, konkret, me synimin e vetëm forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe fshehjes së interesave private dhe pasurore; identifikimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesave, dhe mbrojtjen e interesave të shtetit në përgjithësi.

Inspektorati i Lartë angazhohet që përfshirja e tij do të jetë pjesë e dobishme dhe efikase e Njësive të Përbashkëta Hetimore, pjesë e një mekanizmi të efektshëm për të luftuar korrupsionit, për të përmirësuar imazhin dhe për të rritur integritetin e administratës publike. Të gjitha këto le të shërbejnë për të ndërtuar besimin e publikut në institucionet publike, si dhe për të ndryshuar përceptimin e publikut që korrupsioni mund dhe duhet të ndëshkohet.

Ju faleminderit !