NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati i lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive prezanton strategjinë e re që do të ndjekë institucioni për parandalimin e konfliktit të interesave.

Inspektorati i lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) prezantoi strategjinë e re që do të ndjekë institucioni për parandalimin e konfliktit të interesave, në prani të përfaqësuesve të rreth 100 institucioneve qendrore, të drejtuesve të agjensive shtetërore që kanë për objekt të punës së tyre luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, si edhe të partnerëve ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me ILDKP.

Inspektori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, paraqiti planin që mbështetet në tre pika të rëndësishme:
– forcimin e kontrollit mbi institucionet publike për zbatueshmërinë e ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe ligjit nr.9049, dt.10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë;
– Rimodelimi i dokumentit zyrtar “deklaratë e interesave private”, në të cilin sanksionohet detyrimi ligjor për të deklaruar, së bashku me subjektet, edhe fëmijët madhorë të tyre, të cilët gjenden jashtë çertifikatës familjare, si edhe detyrimi që subjektet të vendosin emrat e prindërve të tyre dhe prindërve të bashkortit/es në formularin e pasurisë. Kjo masë do të ndihmojë në evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave, pasi duke patur dijeni mbi personat e lidhur me zyrtarin, do të jetë më e lehtë për të zbuluar rastet e përfitimit të paligjshëm nga fondet publike të ”personave të lidhur” me subjektin, sipas kuptimit të ligjit
– Propozim për parashikimin në nenin 257/a të Kodit Penal, të masave ndëshkuese edhe për personat e lidhur me zyrtarët që mbartin detyrimin për deklarim sipas ligjit, në rastet kur këta të fundit refuzojnë të deklarojnë ose fshehin pasurinë që kanë të regjistruar në emrin e tyre.

Në fjalën e tij në takim, z. Llalla kërkoi nga Autoritetet Përgjegjëse, të cilat janë hallka lidhëse ndërmjet ILDKP-së dhe institucioneve publike, forcimin e bashkëpunimit dhe shtimin e prurjeve të rasteve të dyshuara korruptive apo në konflikt interesi. “Për vitin 2009, strategjia dhe prioriteti i Inspektoratit të Lartë do të jetë ndërrmarrja e rolit kontrollues, dhe jo vetëm parandalues, çka do të thotë që Autoritetet Përgjegjëse dhe vetë zyrtarët do të marrin përgjegjësitë që u takojnë në parandalimin e konfliktit të interesave dhe të intensifikimit të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh Inspektori i Përgjithshëm.
Duke vijuar më tej, z. Llalla u shpreh se “shkëmbimi i informacionit në kohë reale dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara, puna parandaluese, informuese, edukuese dhe masat ndëshkuese ndaj elementit korruptiv në administratën publike, është e rëndësishme që të funksionojnë në harmoni dhe ndërveprim me njëra-tjetrën, pasi vetëm në këtë mënyrë do të japin produktin që pret opinioni publik nga institucionet shtetërore”.
Ndërsa, duke iu referuar ndryshimeve në formularin e deklarimit të pasurisë, z. Llalla, theksoi se Inspektorati i Lartë i konsideron si një përmirësim tepër të rëndësishëm, duke shprehur njëkohësisht bindjen se “do të jetë një ndihmesë më shumë edhe për Autoritetet Përgjegjëse, në evidentimin, parandalimin, trajtimin, shmangien dhe zgjidhjen e konfliktit të interesave”.
Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP përmendi në fjalën e tij edhe problematikën e hasur deri më tani dhe kërkoi marrjen e masave për shmangien e tyre në vijimësi. “Pavarësisht angazhimit tuaj të deritanishëm, ka ende probleme të pazgjidhura, ka ende çështje të cilat nuk trajtohen në mënyrën e duhur, ka informacione që nuk mbërrijnë në kohën e duhur. Të gjitha këto ndikojnë në punën tonë të përditshme, ndikojnë edhe në perceptimin e opinionit publik ndaj institucioneve shtetërore. Këto ditë, Inspektorati i Lartë, po kryen rakordimet e listave të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim periodik/vjetor dhe konstatohet që ende ka probleme në sistemimin e zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim”, u shpreh z. Llalla.
Duke kërkuar më tej “vënien në funksionim maksimal të të gjithë kapacitetit profesional e njerëzor për të arrituar sfidat gjatë këtij procesi, dëshmojnë për një përgjegjësi të madhe të gjithsecilit prej nesh”, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP u shpreh se kjo situatë duhet përmirësuar dhe, “nëse do të jetë e nevojshme marrja e masave ndaj kujtdo që nuk përmbush detyrimet e tij ligjore, atëherë do të ndiqet edhe kjo praktikë, do të zbatohen masat ndëshkuese të parashikuara në ligj”.