+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuarpërfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Alaudin Malaj, me funksion gjyqtar, Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1,7 milion euro dhe për rrjedhojë subjekti Alaudin Malaj është kallëzuar penalisht për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal.

ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm të subjektit Alaudin Malaj, pasi të dhënat e institucioneve shtetërore ngrenë dyshime të forta për injektim parash të “pista” nga subjekti nëpërmjet skemës së krijimit të bizneseve të ndërtimit në emër të familjarëve të tij, kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve te subjekti nëpërmjet kontratave fiktive të huave e të dhurimit, e më pas shitjen dhe riinvestimin e tyre nga subjekti në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Subjekti Alaudin Malaj në vitin 2003, në deklarimin e parë të interesave private, ka deklaruar gjithsej asete në shumën 60.000 euro dhe në fund të vitit 2014 pasuria e subjektit ka arritur gjithsej në shumën rreth 1,7 milion euro.

ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj subjektit Alaudin Malaj.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN