+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Tom Doshi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuarpërfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Tom Doshi, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqiperisë, për periudhën kohore 2005 – 2014, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro.

ILDKPKI bën me dije se subjekti Tom Doshi është kontrolluar nga 2005 deri 2013 disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara Inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, duke mos i dërguar dosjet në organin e Prokurorisë, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë të ILDKPKI.

ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara nga nenet 257a//2 dhe 287 të Kodit Penal, duke insistuar që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN