NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektori i Përgjithshëm takon Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë

Inspektori i Përgjithshëm, z. Shkëlqim Ganaj priti në një takim pune Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë Sh.S.Znj. Romana Vlahutin. Në takimin e zhvilluar, Inspektori i Përgjithshëm, pasi falenderoi Ambasadoren Sh.S.Znj. Vlahutin për mbështetjen e deritanishme që i ka dhënë institucioneve shqiptare, prezantoi punën e kryer gjatë vitit të parë të mandatit të tij dhe prioritetet për vitin 2015, duke theksuar fuqishëm rritjen e transparencës dhe parandalimin e fenomenit të korrupsionit në rradhët e zytarëve të lartë dhe të zgjedhurve në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën e saj Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, pasi falenderoi  z. Ganaj për pritjen, i siguroi angazhimin e saj personal për një bashkëpunim të ngushtë dhe efikas. Sh.S.Znj. Vlahutin në fjalën e saj vlerësoi punën e Inspektoratit të Lartë, masat administrative dhe kallëzimet që ky i fundit ka dërguar pranë organit të akuzës për zyrtarë të niveleve të larta, dhe për rrjedhojë, inkurajoi ILDKPKI për ta vazhduar më tej këtë mision pasi mbështetja nga Delegacioni i Bashkimit Evropian do të jetë e gjithanshme. Sh.S.Znj. Vlahutin theksoi gjithashtu se Shqipëria është para një faze të rëndësishme, atë të kërkesës për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian dhe një ndër kushtet që duhet të plotësojë është lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Institucione të tilla, siç është ILDKPKI, kanë një rol thelbësor në përmbushjen e këtij qëllimi. Në çdo rast duhet inkurajuar ndëshkimi i fenomenit të korrupsionit, pasurimit të paligjshëm, krijimit të interesave private të pajustifikuara, sidomos në rradhët e zyrtarëve të lartë.

Gjatë takimit, Sh.S.Znj. Romana Vlahutin dhe z. Shkëlqim Ganaj, u ndalën dhe në disa sfida të tjera të Inspektoratit të Lartë, disa prej të cilave janë bërë publike,  kthimi i besimit të publikut në institucionet publike; bashkëpunimi ndërinstitucional dhe intensiv, sidomos me organin e akuzës dhe veçanërisht në mjetet e nevojshme për të mundësuar deklarimin on-line të interesave private dhe publikimin e tyre në faqen zyrtare të Institucionit.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN