+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, kallëzim penal ndaj subjektit Dritan Bici

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuarpërfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Dritan Abedin Bici, me funksion Kryetar i Bashkisë Gramsh. Në përfundim të verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë, u konstatuan problemet si më poshtë vijon :

–     Fshehje e pasurisë, apartament banimi, Gramsh.

–     Fshehje e pasurisë, apartament banimi, në Tiranë.

–   Fshehje e pasurisë, “Dyqan i artikujve të ndryshëm’’, në deklarimin ’Para fillimit në detyrë 2011’’.

–   Mosjustifikim me burime të ligjshme financiare dhe dokumentacion ligjor i pasurisë së deklaruar në deklaratën ‘’Para fillimit në detyrë 2011’’ në shumën 12.483.000 lekë.

–   Fshehje e transaksioneve bankare të konfirmuara nga Raiffeisen Bank, në shumën 3.130.276 lekë në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2011 dhe 2013’’.

–   Fshehje e llogarisë bankare në Raiffeisen Prestige në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2013’’ në shumën totale 1.347.276 lekë dhe mosmbulimi i saj me të ardhurat e realizuara dhe deklaruara në këtë periudhë.

–  Deklarim i rremë i burimit të shumës 950.000 lekë për transaksionet ‘’depozitime cash’’ në Raiffeisen Bank në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2011’’.

–   Fshehje e llogarisë bankare në Raiffeisen Bank, në emër të bashkëshortes së subjektit, me gjendje 243.687 lekë në 31.12.2011 dhe 495.840 lekë në 31.12.2012.

–  Përveç problematikës të konstatuar me sipër, z.Dritan Bici ka tentuar dhënien e një sasie parash cash, në ambientet e ILDKPKI, Inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e deklaratave të tij, me qëllim mbylljen e problemeve të konstatuara nga hetimi administrativ.

Për arsyet e sipërpërmendura, bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKPKI ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e proçedimit penal ndaj subjektit Dritan Bici, me funksion Kryetar i Bashkisë Gramsh, për veprat penale të, fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, korrupsionit,  pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 257/a/2, neni 244, neni 287,  të Kodit Penal.

__________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN