+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, kallëzim penal ndaj subjektit Adriatik Zotkaj

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuarpërfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit  Adriatik Maliq Zotkaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Poliçan. Në përfundim të verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë, u konstatuan problemet si më poshtë vijon:

–  Ka fshehur pasurinë Nr.12/107, në ZK 3019, Vol 12 fq122.

– Ka fshehur pasurinë nr.24/2 në ZK 3666 ,Vol1,fq221, në emër  të firmës “Perla e Tomorrit”, Administrator Adriatik Zotkaj, me sipërfaqe trualli 5000m2, mbi të cilën ndërtuar objekti me sip 2200 m2, sipas Lejes Ndërtimit nga KRRT Qarku Berat, Vendimi Nr.5/18 dt.25.07.2008, financues është subjekti Perla e Tomorit, z.A.Zotkaj.

– Ka fshehur pasurinë nr.12/98, në ZK3019.

– Ka fshehur pasurinë me Nr.197/2, në ZK 3666, vol 1, fq 228 me siperfaqe 1100 m2 rregjistruar sipas Kontrates së shit-blerjes nr.1063 rep, 632 kol dt.05.09.2012.

– Ka fshehur automjetin me targë AA550 IB, Autoveture AUDI (A6) vit prodhimi 2005, automjetin me targë AA540 FC, tip NISSAN(Patrol),vit prodhimi 2000, i rregjistruar në emrin e të birit Maliq Zotkaj, eskavator me Zinxhirë tipi 441BMD marka Laltesi shasi nr.239/44, në shumën 50.000 euro i blerë sipas Kontratës Nr.103 rep, nr.45 kol dt. 13.01.2011.

–  Mungesë burimesh të ligjshme financiare për shlyerjen e menjëhershme të kredisë në dt.19.02.2009, Raiffeissen Bank.

– Mungesë burimesh financiare për shlyerjen e kredive të marra në shumat 50.000 Euro (viti 2008), 75.000 Euro (viti 2011) dhe 30.000 Euro (viti 2012), me të ardhurat e deklaruara prej tij dhe pergjigjeve të konfirmuara nga bankat.

– Ka fshehur të ardhurat e përfituara nga lidhja e kontratës me kompaninë Vodafone Albania, për dhënie me qera të një sip.toke  1100 m2 për vendosje të stacionit radio ‘Site 643A Tomorrica’ ku Adriatik Zotkaj dhe Mirela Zotkaj kanë nënshkruar  si pronarë të tokës.

–   Ka fshehur llogarinë në Union Bank ku i derdhen të ardhurat nga qeraja me kompaninë Vodafone Albania.

– Ka bërë deklarim të rremë lidhur me faktin që është larguar si administrator i shoqerisë ABG shpk, duke vijuar rol aktiv në këtë biznes, lidhje kontratash për blerje asetesh për shoqërinë si dhe marrje kredish në Bankën Union, garantues/ dorëzanës, në Bankën Societe Generale, Alpha Bank,  etj.

– Nuk ka deklaruar shitjen e 65 % të aksioneve të shoqërise ABG, shitje e realizuar në vitet 2008 – 2009.

– Ka vijuar të zotërojë 35% të aksioneve në shoqerinë ABG shpk Poliçan, në kundërshtim me nenin 29, pika d, e Ligjit Nr.9367 i dt.07.04.2005 (i ndryshuar), sipas të cilit Kryetari i Bashkisë, nuk mund të zotërojë në mënyrë aktive, aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare që ushtron veprimtarinë brenda territorit të juridiksionit të tyre.

–  Fshehje, deklarim i rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare për shumën 1.000.000 euro në Societe Generale Albania.

Përvec sa më sipër, me veprimet e kryera, duke shfrytëzuar pozitën si Kryetar Bashkie ka përfituar, të ardhura dhe favore të ndyshme, drejtpërdrejtë apo tërthorazi, personale apo në favor të shoqerisë ABG, ku është aksioner i shumicës. Garancitë si person publik për kreditë e marra pranë bankave lokale, ushtrimi i aktivitetit në territorin që mbulon Bashkia që ai drejton, janë elementë përfitimi të padrejtë dhe elementë të shpërdorimit të detyrës prej tij.

Për arsyet e sipërpërmendura, bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKPKI ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e proçedimit penal ndaj subjektit Adriatik Zotkaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Polican,për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 257/a/2, neni 248 neni 287, të Kodit Penal.

__________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN