NJOFTIM PËR SHTYP

Sot më datë 23 Tetor 2014 Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave Z. Shkëlqim Ganaj dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Z. Besnik Dervishi zhvilluan një takim pune ku u diskutua koordinimi i bashkëpunimit nëpërmjet dy institucioneve dhe i bashkërendimit të veprimeve të përbashkëta në kryerjen e funksioneve të secilit prej institucioneve.

Në kuadër të përmirësimit të legjislacionit që rregullon veprimtarinë e ILDKPKI-së dhe të hyrjes në fuqi të Ligjit për të Drejtën e Informimit i cili do të mbulohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dy krerët e institucioneve të pavarura në këtë takim ranë dakord për të filluar punën për përgatitjen e një marrëveshje të re bashkëpunimi e cila do të konsistojë në:

– Rishikimin e programit aktual të transparencës dhe miratimin e një programi të ri të ILDKPKI-së ku përcaktohen kategoritë e informacionit që bëhen publikë pa kërkesë dhe mënyra e bërjes publike të këtij informacioni.

– Hartimin e akteve nënligjore dhe rregullores të veprimtarisë të ILDKPKI-së në përputhje me Ligjin për të Drejtën e Informimit.

– Krijimin e një regjistri të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre sipas standartit për formatin e miratuar në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Inspektori i Përgjithshëm bëri prezente masat e marra nga Inspektorati i Lartë dhe hartimin e akteve nënligjore përkatëse, më qëllim mbrojtjen e të dhënave konfidenciale dhe sensitive që pasqyrohen në dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private” nga të zgjedhurit dhe nëpunësit publikë të cilët mbartin detyrim për deklarim.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN