+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, vijon me masat administrative ndaj subjekteve deklarues

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, në funksion të rolit të tij kontrollues, vijon të konstatojë shkelje të afateve ligjore në dorëzimin në afat të dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private”, nga ana e zyrtarëve të niveleve të ndryshme drejtues të cilët pa shkaqe ligjore të arsyeshme nuk dorëzojnë në afat deklaratën e interesave private.

Në këto kushte, Inspektori i Përgjithshëm, vendosi masën administrative “gjobë” për 4 zyrtarë, subjekte deklarues të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private, konkretisht:

– Zamir Kaja, me detyrë Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2009 dhe deklaratat e interesave private “Periodike/Vjetore” për vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, masë administrative “gjobë” në shumën prej 200.000 lekë;

 Mensur Hoxha, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Berat, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014, masë administrative “gjobë” në shumën prej 100.000 lekë;

 Kiço Londo, me detyrë Drejtor i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Ministria e Kulturës, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014, masë administrative “gjobë” në shumën prej 100.000 lekë;

– Selaudin Vakaj, me detyrë Inspektor në Drejtoria Rajonale Tatimore Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për mosdorëzim të “Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014, masë administrative “gjobë” në shumën prej 100.000 lekë;

Në zbatim të nenit 40, pika 1 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes Vendimit të Posaçëm, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet e lartpërmendur.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj këtyre subjekteve, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarët, subjekte deklarimi, si dhe institucionin epror.

Inspektorati i Lartë u rikujton të gjithë subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN