+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, vijon me masat administrative

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pas rakordimit të punës për dorëzimin në afat të dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private”, vijon të konstatojë zyrtarë të niveleve të ndryshme drejtues të cilët pa shkaqe ligjore të arsyeshme nuk kanë dorëzuar në afat deklaratën e interesave private.

Në këto kushte, Inspektori i Përgjithshëm, vendosi masën administrative për:

– Besmir Mane, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014.

– Genc Dragoni, me detyrë Drejtor pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2013.

Në zbatim të nenit 40, pika 1 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes Vendimit të Posaçëm, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet e lartpërmendur.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj këtij subjekti, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarët, subjekte deklarimi, si dhe institucionin epror.

Inspektorati i Lartë u rikujton të gjithë subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN