+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, vendos masë administrative ndaj Arjan Kokona

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pas rakordimit të punës për dorëzimin në afat të dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private”, vijon të konstatojë zyrtarë të niveleve të ndryshme drejtues të cilët pa shkaqe ligjore të arsyeshme nuk kanë dorëzuar në afat deklaratën e interesave private.

Në këto kushte, Inspektori i Përgjithshëm, vendosi masën administrative për:

– Arjan Kokona, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Tiranë, për mosdorëzim të “Deklaratës Periodike/Vjetore” për vitin 2013.

Në zbatim të nenit 40, pika 1 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes Vendimit të Posaçëm, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektin e lartpërmendur.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj këtij subjekti, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.

Inspektorati i Lartë u rikujton të gjithë subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN