+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, vijon marrjen e masave administrative

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave vijon punën për rakordimin e dorëzimit në afat të dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private” me qëllim ndërgjegjësimin dhe penalizimin e subjektëve deklarues të cilët nuk përmbushin afatet ligjore.

Gjatë këtyre ditëve u konstatuan 2 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët janë në shkelje të afateve të dorëzimit të deklaratës së interesave private, si më poshtë vijon:

 Entela Vesho (Nakuçi) – Inspektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mosdorëzim të “Deklaratës pas largimit nga funksioni” për vitin 2014.

 Dritan Zoto – Drejtor i Policisë Shkencore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mosdorëzim të “Deklaratës para fillimit të detyrës” për vitin 2014.

Në zbatim të nenit 40, pika 1 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes Vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë, në shumen 100.000 (njëqind mijë) Lekë ” për subjektet deklarues që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.

Inspektorati i Lartë u rikujton të gjithë subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN