+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Genc Drita

Në përfundim të verifikimeve të kryera mbi deklaratat e interesave private të subjektit Genc Drita dhe të dhënave të siguruara gjatë procesit të rikontrollit të plotë, u konstatuan problemet si më poshtë vijon:

– Deklarim i rremë i pasurisë në shumën 1.500.000 USD.

– Deklarim i rremë i pasurisë për shumën 150.000 Euro.

– Fshehje e kontratës së sipërmarrjes, e lidhur me “Merkaj” sh.p.k, për prenotimin e 2(dy) apartamenteve me sip. ndërtimore 107.88 m2 dhe sip. ndërtimore 88.49 m2, në Komunën Dajt me vlerë 125.280 Euro.

– Fshehje e sipërfaqes së truallit 1000 m2, në rrugën automobilistike Tiranë-Elbasan.

– Burim financiar i dyshimtë dhe pa dokumentacion justifikues ligjor për të gjitha pasuritë e deklaruara prej tij, etj.

Për arsyet e sipërpërmendura, bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKPKI ka paraqitur kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme për veprën penale “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal, ndaj subjektit të deklarimit të interesave private Genc Drita, me funksion Kryetar i Komunës Bërzhitë, Tiranë.

Inspektori Përgjithshëm njofton se pasi :

– U gjet e shkatërruar arkiva dhe protokolli i ILDKPKI,

– U konstatuan zhdukje të dosjeve, deklaratave të pasurisë dhe dokumentacionit hetimor,

– U konstatua zhdukja e regjistrit të denoncimeve nga qytetarët,

– U konstatua nxjerrja jashtë funksionit, qëllimisht, i numrit pa pagesë për denoncimin e qytetarëve,

– U konstatua që 70% e zyrtarëve, i ishin shmangur kontrollit dhe nuk ishin kontrolluar asnjëherë të vetme në 10 vjet,

– U konstatua që rreth 1000 zyrtarë nuk kishin dorëzuar fare deklaratat e pasurisë duke ju shmangur në këtë mënyrë kontrolleve periodike,

– U konstatua që asnjë zyrtar nuk është kontrolluar deri më 31.12.2013 nëse ka përfituar ose jo nga fondet publike, në përputhje me ndalimet absolute të nenit 21 të ligjit për Konfliktin e Interesave,

më datë 04.09.2014 konstatoi skandalin e rradhës në ILDKPKI pasi subjekti Genc Drita, me deklarim të rremë për rreth 2.000.000 USD pasuri, edhe pse ishte propozuar për kallëzim penal nga Inspektori i çështjes, edhe pse ishte miratuar propozimi për kallëzim penal dhe po ashtu ishte përgatitur kallëzimi penal me aktet përkatëse, dosja në ngarkim të tij mbahej e fshehur për vite me rradhë në ILDKPKI dhe nuk ishte dorëzuar në organin e Prokurorisë.

Për sa më sipër, sot më datë 05.09.2014 u depozitua menjëherë kallëzimi penal ndaj subjektit Genc Drita, dhe njëkohësisht Inspektori i Përgjithshëm urdhëroi fillimin e hetimit administrativ për të nxjerrë e çuar para ligjit përgjegjësit e këtij skandali.

Rasti i subjektit Genc Drita dhe raste të tjera, të cilat janë kallëzuar penalisht gjatë këtyre 6 muajve (nga 01.03.2014 deri më sot janë depozituar 48 kallëzime penale ndërsa për 10 vjet të marra së bashku, 2003 deri 2013, u bënë vetëm 57 kallëzime penale) tregojnë qartë se si ka funksionuar ILDKPKI për vite me rradhë. Tregon qartë se si një nga institucionet kryesore të luftës kundër korrupsionit, ishte shndërruar në lavatriçen e parave të pista e të fshehura të zyrtarëve të ndryshëm.

Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar rikontrollin e plotë, kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për të gjithë deklaratat e pasurive për Kryetarët e Bashkive dhe Komunave të Shqipërisë.

ILDKPKI, duke falenderuar qytetarët dhe median për bashkëpunimin e deritanishëm, i fton ata që, nëse kanë informacione për pasuri të fshehura ose të vëna në mënyrë të paligjshme nga të zgjedhurit dhe ish të zgjedhurit vendorë, t’i denoncojnë sa më parë në ILDKPKI. Konfidencialiteti është tashmë normë e garantuar.

___________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN