+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, vijon me masat administrative për mosdorëzim të deklaratës së interesave private, ndër vite

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka vijuar punën për rakordimin e subjekteve deklarues në të gjitha institucionet publike, në nivel qëndror dhe lokal në vendin tonë. Pas përfundimit të këtij procesi, përsëri vijojnë të konstatohen shkelje nga ana e subjekteve deklarues. Fatkeqësisht, si rezultat i keqmenaxhimit të institucionit vitet e fundit, janë konstatuar subjekte deklarues të cilët nuk kanë përmbushur detyrimin e tyre ligjor në plotësimin dhe më pas dorëzimin e dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private” pranë ILDKPKI.

Inspektori i Përgjithshëm, përmes Urdhërave të Posaçëm, ka vendosur masa administrative “gjobë”, për 6subjekte deklarues, si më poshtë.

 Fatos Klosi, Kryetar i Agjensisë  Kombëtare Bërthamore, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Tiranë, nuk ka dorezuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës” dhe “Deklaratën e Interesave Private Periodike/Vjetore 2013”

– Anesti Dhimojani, Ish Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë, nuk ka dorëzuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar deklaratë e interesave private “Periodik vjetor, 2011, 2012, 2013″ dhe “‘Pas largimit nga funksioni 2014″.

– Vangjel Ndreka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, nuk ka dorëzuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar, deklaratë e interesave private “Periodik vjetor 2013“.

– Hamdi Pasha, Kryetar Komune Kodër Thumanë, Krujë, Qarku Durrës, i zgjedhur në këtë funksion me datë 23.07.2013, nuk ka dorëzuar dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës”; dhe “Deklaratën e Interesave Private Periodike/Vjetore” për vitin 2013.

– Viktor Popaj, Kryetar i Komunës Kastrat, Qarku Shkodër, i zgjedhur në këtë funksion me datë 08.05.2011, rezulton të mos ketë dorëzuar brenda afateve ligjore “Deklaratën Para Fillimit të Detyrës”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të viteve të kaluara rezulton që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Periodike/Vjetore” për vitet 2011, 2012 dhe 2013.

–  Lek Bibaj, Kryetar i Komunës Hajmel, Qarku Shkodër, i zgjedhur në këtë funksion me datë 08.05.2011, rezulton të mos ketë dorëzuar brenda afateve ligjore “Deklaratën Para Fillimit të Detyrës”, shkelje për të cilën subjekti është gjobitur dhe kallëzuar penalisht. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të viteve të kaluara rezulton që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Periodike/Vjetore” për vitet 2011, 2012 dhe 2013.

Në zbatim të nenit 40, të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, Inspektori i Përgjithshëm vendosi masën administrative “gjobë” në shumën prej 100.000 (njëqind mijë) lekë për refuzim për deklarim në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi dhe institucionet eprore për marrjen e masave administrative ndaj tyre.

Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, pas marrjes së masës administrative, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN