+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, masë administrative ndaj subjektit deklarues Auron Tare

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pas shqyrtimit të akteve të deklarimit të interesave private të subjektit deklarues Auron Tare, me funksion Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, konstatoi që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës”.

Në respektim dhe zbatim të nenit 5/1 pika 2 e ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar, ky subjekt detyrohej të paraqiste deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë” jo më vonë se 30 ditë nga data e fillimit të detyrës, në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ose pranë strukturës përgjegjëse në institucionin ku ushtron funksionin e tij.

Inspektori i Përgjithshëm, në zbatim të nenit 40, pika 1/a të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektin deklarues, Auron Tare.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj këtij subjekti, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.

Inspektorati i Lartë u rikujton të gjithë subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN