NJOFTIM PËR SHTYP

TAIEX, mundëson asistencë në funksion të përmirësimit të teknikave të hetimit

Asistenca Teknike dhe Instrumentët e Shkëmbimit të Informacionit të Komisionit Europian në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit organizuan një takim trajnues 3 ditor (dt.16-17-18 qershor 2014) në ambjentet e Inspektoratit të Lartë.

Forcimi i kapaciteteve investiguese, njohja me qasjet e reja të aplikuara në vendet me një demokraci të zhvilluar dhe anëtare të BE-së, ishin në fokus të këtij trajnimi me temë “Teknikat e kontrollit dhe sistemet e verifikimit të deklaratave të pasurisë” i cili i adresohej stafit të ILDKPKI, konkretisht Inspektorë dhe Nhihmës Inspektorë të cilët merren në mënyrë të drejtëpërdrejtë me kryerjen e kontrolleve ndaj subjekteve deklarues pranë Inspektoratit të Lartë.

Në cilësinë e trajnerit, gjatë këtij takimi 3 ditor, ishte zoti Goran Klemencic, i cili në vitin 2010 ka qenë Kryekomisioner pranë Komisionerit të Parandalimit të Korrupsionit në Republikën e Sllovenisë, institucion ky i ngjashëm me Inspektoratin e Lartë për rolin, legjislacionin, kompetencat dhe funksionet që ushtron. Zoti Klemencic ka punuar si Këshilltar në Komisionin Europian për Çështjet Penale pranë Këshillit të Europës në Strasburg, si dhe ka punuar për Organizatën e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik (OECD), në Paris. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në hartimin e legjislacionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë dhe për dy vite me rradhë ai ka qenë anëtar i Komisionit të Menaxhimit të Korrupsionit pranë OECD.

Krahas teknikave të reja të kryerjes së një hetimi administrativ, bashkëpunimi ndërinstitucional ishte një nga rekomandimet e ekspertit dhe një nga nëntemat e këtij trajnimi, i cili u trajtua në një mënyrë krejtësisht origjinale dhe praktike. Në sesione të ndryshme, u ftuan përfaqësues të institucioneve publike shqiptare, të cilët kanë marrëdhënie bashkëpunimi të ngushta me Inspektoratin e Lartë. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, në një tryezë të vetme pune, mundësoi që të diskutoheshin disa praktika pune dhe procedura konkrete të cilat synojnë shkëmbimin e të dhënave në një kohë sa më të shpejtë si dhe identifikimin e të dhënave të sakta në funksion të punës së ILDKPKI.

Disa nga institucionet e pranishme ishin: Gjykata për Krimet e Rënda, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ALUIZNI, DPSHTRR-ja. Vlen të theksohet që në këtë takim trajnues të pranishëm ishin dhe titullarë të institucioneve të cilët përcollën frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ky takim trajnues, i cili u organizua menjëherë pas hyrjes në fuqi të amendimeve të fundit të legjislacionit mbi të cilin ushtron aktivitetin institucional Inspektorati i Lartë, synon forcimin e kapaciteve investiguese dhe përmirësimin e vazhdueshëm të teknikave të hetimit.

________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN