+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKPKI, vijon me masat administrative për mosdorëzim të deklaratës së interesave private

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave edhe gjatë këtyre ka vijuar punën për rakordimin e subjekteve deklarues në të gjitha institucionet publike, në nivel qëndror dhe lokal në vendin tonë. Në përfundim të plotë të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, si dhe pas komunikimeve dhe rakoordimeve të kryera dhe me institucionet përkatëse ku këto subjekte ushtrojnë funksionet e tyre publike, u konstatuan 117 zyrtarë të niveleve të ndryshme të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë” dhe “Pas Largimit” për vitin 2013 dhe 2014.

Në zbatim të nenit 40, pika 1/a të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, sipas të cilit “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) Lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, gjatë këtyre ditëve, përmes Vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet deklarues që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private. Shkarko listën këtu.

Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.

Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues ndaj të cilëve u mor masa administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen në dinamikë të çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN