NJOFTIM PËR SHTYP

Progres Raporti, Qershor 2014

Me datë 4 qershor 2014 u publikua Raporti i Komisionit për Këshillin dhe Parlamentin Evropian për progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën në sistemin gjyqësor.

Përmes këtij Progres Raporti, Komisioni Evropian rikonfirmoi edhe njëherë rekomandimin për Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, që Shqipërisë t’i  jepet  statusi i  vendit kandidat. Komisioneri për Zgjerimin, Zoti Stefan Fyle, në tryezën e tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE prezantoi Progres Raportin, duke vënë theksin në arritjet e institucioneve publike shqiptare dhe pritshmëritë e mëtejshme.

Progres Raporti adresonte një sërë arritjesh dhe pritshmëri të mëtejshme edhe për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ku ndër të tjera theksohej “Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) ka marrë masa për të përmirësuar performancën e vet në tremujorin e parë të 2014-ës. Çështjet e fshehjes së pasurisë të denoncuara në Prokurori përfshijnë tre gjyqtarë, një prokuror, një ambasador dhe dy inspektorë. Në tërësi, si ILDKPKI dhe organet e inspektimit të brendshëm duhet të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë më proaktive, duke u fokusuar te pasuria e pajustifikuar përmes një vlerësimi më të mirë të riskut dhe kryqëzimit të të dhënave të veta me ato që paraqiten në deklaratat e pasurisë dhe konfliktit të interesit. Thelbësore në këtë drejtim është që deklaratat e pasurisë të vihen në dispozicion të agjencive ligjzbatuese dhe atyre të hetimit. Publikimi i deklaratave të pasurisë, siç parashikohet në udhërrëfyesin për prioritetet kyçe, do të forcojë llogaridhënien dhe përpjekjet për të zbuluar pasuritë e pajustifikuara”

Nisur nga konstatimet dhe konkluzionet e Progres Raportit, Inspektorati i Lartë shpreh edhe njeherë vullnetin dhe vendosmërinë e tij për të vijuar më tej në marrjen e masave të tjera, me synimin e vetëm përmirësimin e performancës institucionale; forcimin e bashkëveprimit institucional; bashkëpunimit të mëtejshëm dhe konkret me median; shoqërinë civile dhe qytetarët; ndjekjen e një politike të hapur dhe transparente; rritjen e besimit të publikut, me qëllimin e vetëm identifikimin e rasteve të fshehjes së pasurive, të parandalimit dhe dënimit të konfliktit të interesave, duke forcuar në këtë mënyrë llogaridhënien dhe forcën ndëshkuese të ligjit.

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN