+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Mbi rastin e kallzimit penal ndaj subjektit deklarues Gjin Gjoni, bashkëshortes së tij, Elona Çaushi, shtetasit Adrian Kondi, noteres Xhevahire Brahaj dhe noteres Majlinda Demollari për veprën penale të falsifikimit dhe përdorimit të dokumentave të falsifikuara në bashkëpunim.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, më datë 25.04.2014, ka filluar procesin e hetimit administrativ të konfliktit të interesit, për subjektin Gjin Gjoni, me funksion Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë me Nr. indeksi 1419.

ILDKPKI, pas verifikimeve të kryera konstatoi mospërputhje midis dokumentacionit të paraqitur nga subjekti Gjin Gjoni në datë 12.05.2014 dhe përgjigjeve të ardhura nga QKR në datë 02.05.2014, të administruara në dosje. Po kështu nga kqyrja e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti  u konstatuan  shkelje ligjore. Këto mospërputhje dhe shkelje ligjore të konstatuara krijuan dyshimin e arsyeshëm se kemi të bëjmë me dokumenta të falsifikuara të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni, me qëllimin e vetëm shmangien nga përgjegjësia e rëndë ligjore që ka në ushtrimin e funksionit të Gjyqtarit të Apelit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet organike si dhe duke vazhduar ushtrimin e këtyre  funksioneve në konflikt interesi, duke zotëruar aksione në mënyre aktive prej vitit 2010.

Për arsyet e mësipërme me shkresën  nr.2643Prot datë 13.05.2014, ju rikërkuan QKR-së, sqarimet e mëposhtme;

1- Rikonfirmimin ose jo të përgjigjes së datës 02.05.2014 dërguar ILDKPKI-së, në lidhje me shoqëritë tregtare të regjistruara në emër të shtetasve Gjin Gjon Gjoni dhe Elona Shpëtim Çaushi.

2- Ndodhen apo jo të administruara në institucionin e QKR-së, dokumentat e paraqitura nga subjekti Gjin Gjoni në ILDKPKI, në dt. 12.5.2014,

3- Nëse këto dokumenta nuk janë të administruara pranë QKR-së, përse mbajnë vulën e këtij  institucioni.

4- Vënia në dispozicion e specifikimeve të vulës zyrtare që ka disponuar ky  institucion për periudhën 2010-2014.

Në përgjigjen e ardhur nga QKR-ja me nr. 5709/1 Prot datë 14.05.2014 evidentohet si vijon;

1- Rikonfirmohet përgjigjia e datës 02.05.2014, ku dokumentacioni i dërguar pranë ILDKPKI-së është kopje e vërtetuar e dokumentave shoqëruese, të depozituara në regjistrin tregtar pranë QKR-së për gjashtë shoqëritë tregtare. Mbështetur në nenin 18 të ligjit nr. 9723 datë03.05.2007 “Për QKR”, regjistri tregtar mbahet në formatin elektronik dhe QKR-ja ruan dhe arkivon aplikime dhe dokumenta shoqëruese, të paraqitura nga aplikantët në format shkresor.

2- Dokumentat e paraqitura nga subjekti janë gjetur vetëm më datën 14.05.2014 në dosjet fizike të dokumentave shkresore të shoqërive tregtare të pashoqëruara me formën e aplikimit apo veprime të QKR-së për pranimin apo depozitimin e tyre. Duke qenë se këto dokumenta nuk janë depozituar në regjistrin tregtar sipas një procedure standarte aplikimi është arritur në përfundimin se ka dyshime të arsyeshme se këto dokumenta janë futur në mënyrë të paligjshme në dosjet fizike dhe për këtë qëllim ky institucion, pra QKR, ka bërë kallëzim penal në organin e prokurorisë.

3- Dokumentat e paraqituara nga subjekti përmbajnë një vulë me përmbajtje të njëjtë me vulën që përdoret nga sporteli i  QKR-së vetëm pas datës 20.11.2013, dhe për këtë arsye në çdo rast këto dokumenta nuk mund të jenë futur në dosjet përkatëse përpara kësaj date. Dokumentat origjinale të pranura nga QKR-ja në asnjë rast nuk vulosen, por skanerizohen dhe bëhen pjesë e regjistrit elektronik dhe ruhen në format shkresor të pandryshuar.

4- Vula zyrtare e institucionit të QKR-së deri në datë 20.11.2013 ka qënë me përshkrimin;

“Republika e Shqipërisë; Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës; Qendra Kombëtare e Regjistrimit (Vula e institucionit) dhe “Republika e Shqipërisë; Ministria e Ekonomisë, Tregtise dhe Energjitikës; Qendra Kombëtare e Regjistrimit,  Sporteli Qendror ( Vula e Sportelit Qendror).

Vulat që janë aktualisht në përdorim nga ky institucion prej datës 20.11.2013 përmbajnë përshkrimin e mëposhtëm:

“Republika e Shqipërisë; Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarjes; Qendra Kombëtare e Regjistrimit (Vula e institucionit) dhe “Republika e Shqipërisë; Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarjes; Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror (Vula e Sportelit Qendror).

Në këto kushte, nga verifikimet e kryera, administrimi i dokumentacionit të paraqitur, analiza dhe krahasimi  me dispozitat ligjore, arrihet në përfundimin  si më poshtë vijon;

Shoqëria “ Bio Gourmet” shpk

Vendimi i datës 14.10.2010 dhe Akt–Marrëveshja e dt.14.10.2010 i shoqërisë “ Bio Gourmet” shpk, paraqitur nga subjekti ka të shënuar në të djathtë të fletës sipër me shkrim dore siglimin “depozituar dt.14.10.2010”dhe në fund të fletës në krah të majtë është vënë vula me specifikat;“Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarjes, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror“. Ky dokument është i falsifikuar sepse:

1- Vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013, ndërkohë që Vendimi, Akt marrëveshja dhe siglimi në faqen e parë  mbajnë datën 14.10.2010.  Në qoftë se këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 14.10.2010, sipas shënimit me dorë, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse.

2- Nga përgjigjia e QKR-së nuk rezulton që subjekti të ketë aplikuar për kryerjen e këtyre veprimeve dhe as të jetë pajisuar me çertifikatën e regjistrimit. Po kështu rezulton se këto dokumenta nuk janë të regjistruara në regjistrin elektronik të QKR- së bazuar në ligjin 9723 datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

3- Nga dokumentacioni i kësaj shoqërie, edhe mbas datës 14.10.2010 datë në të cilën pretendohet se është caktuar si person i besuar shtetasi Adrian Kondi, të gjitha vendimet janë marrë nga ortakët Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, duke mos u përmendur në asnjë moment personi i besuar.

Konstatohet se Vendimi i datës 14.10.2010 dhe Akt–Marrëveshja e dt.14.10.2010 e shoqërisë “Bio Gourmet” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.

Shoqëria  “Best Buy Drug Store”

Vendimi dhe Akt-Marrëveshja dt.21.12.2011 e shoqërisë“Best Buy Drug Store” shpk, ka të shënuar në të djathtë të fletës sipër me shkrim dore siglimin “depozituar dt.21.12.2011” dhe në fund të fletës në krah të majtë është vënë vula me specifikat; “Republika e Shqipërise, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarjes, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror. Mospërputhjet dhe shkeljet ligjore janë:

1- Vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013, ndërkohë që Vendimi, Akt marrëveshja dhe siglimi në faqen e parë mbajnë datën 21.12.2011. Nëqoftëse  këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 21.12.2011, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse.

2- Nga përgjigjia e QKR-së nuk rezulton që subjekti të ketë aplikuar për kryerjen e këtyre veprimeve dhe as të jetë pajisuar me çertifikatën e regjistrimit. Po kështu rezulton që këto dokumenta nuk janë të regjistruara në regjistrin elektronik të QKR, bazuar në ligjin 9723 datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

3- Nga dokumentacioni i kësaj shoqërie, edhe mbas datës 21.12.2011 datë në të cilën pretendohet se është caktuar si person i besuar shtetasi Adrian Kondi, të gjitha vendimet janë marrë nga ortakët Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, duke mos u përmendur në asnjë moment personi i besuar.

Konstatohet se Vendimi i datës 21.12.2011 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 21.12.2011 e shoqërisë “Best Buy Drug Store” shpk të paraqitura nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.

Shoqëria “Albcos”shpk

Vendimi dhe Akt-Marrëveshja dt. 09.01.2012 e shoqërisë“Albcos” shpk ka të shënuar në të djathtë të fletës sipër me shkrim dore siglimin“depozituar 09.01.20” dhe në fund të fletës në krah të majtë është vënë vula me specifikat; “Republika e Shqipërise, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarjes, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror”. Mospërputhjet dhe shkeljet ligjore janë:

1- Vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013, ndërkohë që Vendimi, Akt marrëveshja mbajnë datën 09.01.2012 ndërsa siglimi në faqen e parë mban datën 09.01.20. Nëqoftëse këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 09.01.2012, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse.

2- Nga përgjigja e QKR-së nuk rezulton që subjekti të ketë aplikuar për kryerjen e këtyre veprimeve dhe as të jetë pajisuar me çertifikatën e regjistrimit. Po kështu rezulton se këto dokumenta nuk janë të regjistruara në regjistrin elektronik të QKR, bazuar në ligjin 9723 datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

3- Nga dokumentacioni i kësaj shoqërie, edhe mbas datës 09.01.2012 datë në të cilën pretendohet se është caktuar si  person i besuar shtetasi Adrian Kondi, të gjitha vendimet janë marrë nga ortakët Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, duke mos u përmendur në asnjë moment personi i besuar.

Konstatohet se Vendimi i datës 09.01.2012 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 09.01.2012 e shoqërisë “Albcos” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.

Shoqëria “Albania Duty Free Distribution” shpk

Vendimi dhe Akt-Marrëveshja dt.11.06.2013 e shoqërisë“Albania Duty Free Distribution” shpk ka të shënuar në të djathtë të fletës sipër me shkrim dore siglimin“depozituar 11.06” dhe në fund të fletës në krah të majtë është vënë vula me specifikat; “Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarjes, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror”. Mospërputhjet dhe shkeljet ligjore janë:

1- Vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013, ndërkohë që Vendimi, Akt marrëveshja mbajnë datën 11.06.2013 ndërsa siglimi në faqen e parë  mban datën 11.06. Nëqoftëse  këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 11.06.2013, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse.

2- Nga përgjigjia e QKR-së nuk rezulton që subjekti të ketë aplikuar për kryerjen e këtyre veprimeve dhe as të jetë pajisuar me çertifikatën e regjistrimit. Po kështu rezulton se këto dokumenta nuk janë të regjistruar në regjistrin elektronik të QKR, bazuar në ligjin 9723 datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

Konstatohet se Vendimi i datës 11.06.2013 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 11.06.2013 e shoqërisë “Albania Duty Free Distribution” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.

Shoqëria “Prestige” shpk

Vendimi dhe Akt- Marrëveshja dt. 11.06.2013 e shoqërisë“Prestige Group” shpk, ka të shënuar në të djathtë të fletës sipër me shkrim dore siglimin“depozituar dt 11.06.20.”dhe në fund të fletës në krah të majtë është vënë vula me specifikat; “Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarjes, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror. Mospërputhjet dhe shkeljet ligjore janë:

1- Vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013, ndërkohë që Vendimi, Akt marrëveshja mbajnë datën 11.06.2013 ndërsa siglimi në faqen e parë  mban datën 11.06.20. Nëqoftëse  këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 11.06.2013, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse.

2- Vendimi datës 11.06.2013 nuk përputhet me datën e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve që sipas dokumentit mban datën 11.09.2013, pra vendimi rezulton të jetë marrë 3 muaj para mbledhjes së Asamblesë.

3- Nga përgjigjia e QKR-së nuk rezulton që subjekti të ketë aplikuar për kryerjen e këtyre veprimeve dhe as të jetë pajisur me çertifikatën e regjistrimit. Po kështu rezulton se këto dokumenta nuk janë të regjistruar në regjistrin elektronik të QKR, bazuar në ligjin 9723 datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

4- Nga dokumentacioni i kësaj shoqërie, edhe mbas datës 11.06.2013 datë në të cilën pretendohet se është caktuar si  person i besuar shtetasi Adrian Kondi , të gjitha vendimet janë marrë nga ortakja e vetme Elona Çaushi, duke mos u përmendur në asnjë moment personi i besuar.

Konstatohet se Vendimi i datës 11.06.2013 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 11.09.2013 e shoqërisë “Prestige Group” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.

Shoqëria “Vintage Second Hand & New” shpk

Vendimi dhe Akt –Marrëveshja dt.11.06.2013 e shoqërisë “Vintage Second Hand & New”shpk, ka të shënuar në të djathtë të fletës sipër me shkrim dore siglimin“depozituar dt. 11.06” dhe në fund të fletës në krah të majtë është vënë vula me specifikat; “Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarjes, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Sporteli Qendror. Mospërputhjet dhe shkeljet ligjore janë:

1- Vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013, ndërkohë që Vendimi, Akt marrëveshja mbajnë datën 11.06.2013 ndërsa siglimi në faqen e parë mban datën 11.06. Nëqoftëse këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 11.06.2013, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse.

2- Vendimi i datës 11.06.2013 nuk përputhet me datën e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve që sipas dokumentit mban datën 11.09.2013, pra vendimi rezulton të jetë marrë 3 muaj para mbledhjes së Asamblesë.

3- Nga përgjigjia e QKR-së nuk rezulton që subjekti të ketë aplikuar për kryerjen e këtyre veprimeve dhe as të jetë pajisuar me çertifikatën e regjistrimit. Po kështu rezulton se këto dokumenta nuk janë të regjistruar në regjistrin elektronik të QKR, bazuar në ligjin 9723 datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

Konstatohet se Vendimi i datës 11.06.2013 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 11.06.2013 e shoqërisë “Vintage Second Hand & New” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.

ILDKPKI, bazuar në parimin e proporcionalitetit, vlerëson se veprimet e kryera nga subjekti Gjin Gjoni dhe personat e tjerë, bashkëpuntorë me të, janë shumë të rënda. Janë shumë të rënda sepse kryhen pikërisht nga një zyrtar drejtësie me funksion Gjyqtar Apeli dhe Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Janë shumë të rënda sepse bëhen me qëllimin e vetëm për t’u shmangur nga përgjegjësia e rëndë e shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve të detyrueshme për tu zbatuar nga funksioni i Gyqtarit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke qënë në papajtueshmëri të hapur me to dhe në konflikt interesi. Janë shumë të rënda sepse përveç të tjerave kanë tentuar të falsifikojnë dhe të ndërhyjnë në mënyrë të jashtëligjshme edhe në sistemin e të dhënave të QKR.

Prandaj ILDKPKI bashkë me kallëzimin penal ndaj subjektit Gjin Gjoni, bashkëshortes së tij Elona Caushi, shtetasit Adrian Kondi, noteres Xhevahire Brahaj, noteres Majlinda Demollari, ka kërkuar nga organi i akuzes vlerësimin maksimal të kësaj çështje, bashkimin e saj dhe kallëzimit të bërë nga QKR sot në Prokurorinë e Tiranës për dokumentat e mësipërme, në një çështje të vetme me kallëzimin e bërë nga ILDKPKI më datë 23.04.2014.

Gjithashtu në vlerësim të kësaj situate ILDKPKI i kërkon të gjithë institucioneve të zbatimit të ligjit, që në mënyrë të menjëhershme, të marrin masat parandaluese për t’ju hequr mundësinë personave të kallëzuar penalisht të zhdukin apo fshehin prova, siç kanë tentuar të bëjnë deri më sot.

____________________________________________________________________________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN