NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektori i Përgjithshëm takon Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar

Inspektori i Përgjithshëm, z. Shkëlqim Ganaj priti në një takim kortezie Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Shkëlqesinë e Tij z. Nicholas Cannon. Në takimin e zhvilluar, Inspektori i Përgjithshëm pasi falenderoi diplomatin anglez për mbështetjen e deritanishme që i ka dhënë institucioneve shqiptare prezantoi prioritetet e punës së tij, duke theksuar fuqishëm parandalimin e fenomenit të korrupsionit në rradhët e administratës publike.

Në fjalën e tij Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, pas i uroi z. Ganaj për zgjedhjen e tij në detyrë, i siguroi angazhimin e tij personal për një bashkëpunim konkret dhe efikas. Zoti Ambasador në fjalën e tij, ndër të tjera, theksoi “tashmë jemi njohur me disa nga kallëzimet që Inspektorati i Lartë ka dërguar pranë organit të akuzës për zyrtarë të niveleve të larta, dhe Ju inkurajojmë ta çoni më tej këtë mision. Vendi juaj është para një faze të rëndësishme të tij, atë të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Një ndër kushtet që duhet të plotësojë vendi juaj është lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Institucione të tilla, siç është Inspektorati i Lartë, kanë një rol thelbësor në përmbushjen e këtij prioriteti. Në çdo rast duhet inkurajuar ndëshkimi i fenomenit të korrupsionit, pasurimit të paligjshëm, krijimit të interesave private të pajustifikuara, sidomos në rradhët e gjyqtarëve dhe të prokuroriëve, të çdo niveli.”

Nga ana e tij, Inspektori i Përgjithshëm, e siguroi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar se “konstatimi i rasteve të fshehjes së pasurive të përfituara në mënyrë abuzive, identifikimi i rasteve të konfliktit të interesave gjatë ushtrimit të funksioneve publike, kryerja e një hetimi të gjithanshëm, të plotë dhe terësor, do të jetë prioritet i punës time. Dërgimi i këtyre rasteve pranë organit të akuzës, dhe ndjekja e tyre në dinamikë, është sfida ime në përmbushjen e prioriteteve të misionit tim institucional. Inspektorati i Lartë ka të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat investigues, burimet njerëzore të mirëtrajnuara, por mbi të gjitha ka vullnetin për të punuar dhe për të goditur fenomenin e korrupsionit në radhët e administratës publike, sidomos në sistemin e drejtësisë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që korrupsioni në këtë sistem është një nga plagët e shoqërisë tonë, korrupsion i cili duhet të përballet me një vullnet të fortë institucional.”

Gjatë takimit, Sh.T.Z. Nicholas Cannon Obe dhe z. Shkëlqim Ganaj, u ndalën dhe në disa problematika të tjera të Inspektoratit të Lartë, disa prej të cilave janë bërë publike, si amendimi i legjislacionit organik të ILDKPKI; garancia e pavarësisë institucionale; kthimi i besimit të publikut në institucionet publike; gjetja e mekanizmave investigues për raste të zyrtarëve të cilët fshehin pasuritë e tyre jashtë vendit; bashkëpunimi ndërinstitucional dhe intensiv, sidomos me organin e akuzës.

Në fund të vizitës së tij zyrtare, Sh.T.Z. Nicholas Cannon Obe vizitoi disa nga ambjentet e punës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN