+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

 Kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Artian Adil

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuarpërfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit deklarues me funksion Inspektor Artian Adil pranë institucionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në përfundim të verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private të subjektit Artian Adil dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë, u konstatuan problemet si më poshtë vijon:

1. Fshehje e depozitës në Raiffeisen Bank në emër të bashkëshortes në shumën 1.200.000 lekë në vitin 2007 dhe mbylljen e saj në vitin 2008.

2. Fshehje e depozitës në Intesa SanPaolo Bank në emër të bashkëshortes në shumën 3.000.000 leke (subjekti deklaron derdhje dhe gjendje në shumën 1.700.000 lekë).

3. Fshehje e depozitës në Societe General Bank në emër të bashkëshortes në shumën 500.000 lekë.

4. Fshehje e shtesës së depozites në Societe General Bank në shumën 650.000 lekë  dhe gjendjen e saj në dt.31.12.2008 në shumën 1.206.800 lekë, në emër të bashkëshortes.

5. Në deklaratën e interesave private Periodike /Vjetore të 2008 nuk ka deklaruar në emër të bashkëshortes depozitën në shumën 1,206,800 lekë si dhe llogarinë në shumën 556.804 lekë ( në këtë vit subjekti ka deklaruar vetëm llogari në shumën 500.000 lekë në emër të bashkëshortes).

6. Fshehje e llogarisë mbështetëse ne Societe General Bank në shumën 556.804 lekë në dt.31.12.2007 dhe ne dt.31.12.2008, si dhe pakësimin e saj në vitin 2009.

7. Deklarim i rremë dhe mungesë e burimeve financiare ligjore për të ardhurat e deklaruara si dhurata në shumat 12.000 $, 10.000 $ dhe 80.000 $.

Për sa më sipër subjekti Artian Adil ka konsumuar elementët e veprës penale të “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive te personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal dhe ndaj tij u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. 

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN