NJOFTIM PËR SHTYP
Kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Klorinda Çela
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr.9049, datë 10.04.2003,“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Klorinda Çela, me funksion Gjyqtare.
Nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Klorinda Çela dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar si më poshtë:
- Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë.
- Mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank në shumën prej 719.800 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit.
- Deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. të shumës 2.000.000 lekë për blerjen e apartamentit në Rr.”Don Bosco”. Huamarrja është e pashlyer deri në v.2011, megjithëse sipas kontratës me këtë shtetas, afati përfundimtar i shlyerjes është 20.06.2010.
- Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 Euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi A.M. Mosmbulim me burime të ligjshme dhe me dokumentacion ligjor justifikues ikësaj shume.
- Fshehje e shumës prej 770.000 lekë, e derdhur në katër transaksione në llogarinë e pagës së subjektit në RFZ Bank, nga burime të dyshimta.
- Fshehja e blerjes së automjetit tip Benz në pronësi të subjektit në vlerën 700.000 lekë.
- Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë e pagës në RFZ Bank të subjektit.
- Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë rrjedhëse të subjektit në Union Bank.
- Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare në shumën 5.000 euro në emër të personave të lidhur.
- Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis subjektit dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank.
- Mosparaqitja e dokumentave justifikues që duhet t’i bashkëlidhen deklarimit të interesave private në momentin e dorëzimit, bazuar në nenin 24 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, si dhe mosparaqitja e dokumentave provues të kërkuara nga ILDKPKI, bazuar në nenin 27 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar.
- Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme për vitet 2005, 2007 dhe 2008.
Për sa më sipër subjekti Klorinda Çela ka konsumuar elementët e veprës penale të “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe ndaj saj u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Drejtësisë për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit te Pastrimit te Parave.
_________________________________________
ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME SHTYPIN