+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Ministria e Drejtësisë garanton bashkëpunim konkret me Inspektoratin e Lartë

“Ndërmarrja e masave konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe shfrytëzimi i të gjithë mekanizmave në përmbushjen e këtij objektivi”, ishte tema e takimit të zhvilluar ndërmjet Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, z. Shkëlqim Ganaj dhe Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, takim i zhvilluar ditën e sotme, (21 mars 2014), në ambjentet e Inspektoratit të Lartë.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë, theksoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi institucional konkret, me fokus në shkëmbimin e informacionit me qëllim evidentimin e rasteve të fshehjes së pasurive të gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Më tej, z. Naço nënvizoi faktin që “Ministria e Drejtësië dhe Inspektorati i Lartë kanë të gjithë instrumentet ligjore në funksion të përmbushjes së detyrimeve të tyre. Memorandumi i Bashkëpunimit, nënshkruar ndërmjet dy institucioneve në vitin 2012, duhet materializuar në mënyrë konkrete, përmes masave konkrete, në funksion të efikasitetit të tij të plotë, duke mos i lënë këto detyrime reciproke të papërmbushuara në letër” Në kuadër të një fryme bashkëpunimi, Ministri i Drejtësisë e siguroi Inspektorin e Përgjithshëm për angazhimin e tij personal, në nxitjen e vendosjes së një bashkërendimi konkret me Zyrat Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në mënyrë që të garantohet e drejta e aksesit në rregjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, me qëllim dhënien jete të Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili nuk ka gjetur një zbatim praktik deri tani.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë vlerësoi si të rëndësishme denoncimet e bëra përmes portalit online, raste për të cilat do informohet dhe Inspektorati i Lartë.

Nga ana e tij, Inspektori i Përgjithshëm, z. Ganaj theksoi “Ndjekja e një politike të hapur dhe transparente, me institucionet publike, shoqërinë civile, median dhe qytetarët është një ndër prioritetet e punës time, në përmbushjen e të cilave Inspektorati i Lartë do të angazhohet maksimalisht”. Njëherazi konkretizimi i Memorandumit të Bashkëpunimit u vlerësua nga Inspektori i Përgjithshëm, si një mekanizëm që do të sillte rezultate konkrete dhe në kohë reale në konstatimin e pasurive të fshehura në rradhët e gjyqtarëve.

Në fund të takimit, krerët e dy institucioneve ranë dakort që të organizohen takime periodike, edhe në nivel teknik, me qëllim shkëmbimin e të dhënave që disponojnë  këto dy institucione.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN