+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Zoti Shkëlqim Ganaj merr zyrtarisht detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave

Me Vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, datë 20 shkurt 2014, zoti Shkëlqim Ganaj është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Zoti Ganaj, vjen në krye të këtij institucioni pas një eksperience 22 vjeçare si Jurist, në funksione të ndryshme në institucionet e drejtësisë shqiptare. Karriera e tij filloi si Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke vijuar me pas si Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për një periudhe 10-vjeçare. Zoti Ganaj, ka një përvojë dhe në pozicione drejtuese të institucioneve të administratës publike në vendin tonë.

Në një ceremoni formale ditën e sotme (datë 21.02.2014), me rastin e marrjes së detyrës, organizuar në ambjentet e Inspektoratit të Lartë, zoti Ganaj e vlerësoi si avantazh zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm nga rradhët e stafit, kjo pasi eksperienca e tij, e cila daton që në fillesat e krijimit të institucionit, bën që prioritetet e punës së tij gjatë mandatit, të adresohen në perfeksionimin e metodave të kryerjes së hetimit, me qëllim parandalimin e korrupsionit në rradhët e administratës publike.

Në bazë të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, Zoti Ganaj, do të drejtojë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për një mandat 5-vjeçar.

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN