+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

Fjala e Inspektorit të Përgjithshëm mbajtur gjatë hedhjes së shortit të hapur.

Mirë se keni ardhur në ILDKPKI

Një nga instrumentet e parashikuara ligjore, që zyrtarët deklarues të pasurisë dhe interesave private t’i nënshtrohen kontrollit të plotë, është edhe përzgjedhja e tyre rastësore me anë të shortit.

Në respekt të traditës të mirë të këtij institucioni, procedura e përvitshme e shortit do të zhvillohet e hapur, për të mundësuar gjenerimin e një liste sa më transparente.

Risitë e shortit të vitit 2013 konsistojnë në dy drejtime:

I-   Risia e parë, apo drejtimi i parë:

Inspektori i Përgjithshëm, në përmbushje të kompetencës që i jep ligji nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjerdhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, neni 3, pas një analize të thelluar të rezultateve dhe të dhënave që disponon ky institucion, vlerëson se:

Risku për korrupsion është i njejtë për të gjitha kategoritë e zyrtarëve deklarues.

Prandaj, përzgjedhja përmes klikimit rastësor elektronik do të aplikohet mbi listën totale lineare të të gjithë subjekteve deklarues të interesave private pasurore, të rregjistruar si të tillë në rregjistrin zyrtar të ILDKPKI, që rezultojnë 4670 deklarata.

Asnjë zyrtar nuk është imun, i paprekshëm, nga përfshirja, ndikimi, apo prodhimi aktiv apo pasiv i fenomeneve korruptive të të gjitha llojeve dhe natyrave.

Për më tepër, ka kategori zyrtarësh të nivelit të mesëm apo të ulët të cilët mund të jetë targete akoma më vunerabël për t’u përfshirë në korrupsion, se sa disa kategori zyrtarësh të lartë.

Gjithashtu, një arsye shumë e rëndësishme, për përcaktimin e riskut të njejtë të korrupsionit është se na rezulton se shumë zyrtarë, që për shkaqe ligjore përfshihen në kategorinë e përzgjedhjes rastësore për kontroll të plotë – pra me anë të shortit, i cili siç e dini çdo vit gjeneron një listë me një numër të kufizuar personash, nuk janë kontrolluar asnjë herë në 10 vjet.

II-   Risia e dytë, apo drejtimi i dytë:

Koefiçienti i përzgjedhjes sivjet do të jetë 4.2%, pra do të selektohen 196 zyrtarë deklarues.

Ligji nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjerdhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, neni 25/1, pika 2, përcakton se kufiri i poshtëm i përqindjes (%) së përzgjedhjes është jo më pak se 4%.

Inspektori i Përgjithshëm, duke vendosur aplikimin e rritjes me 0.2 % të koefiçientit të përzgjedhjes, synon rritjen e rastësisë në përzgjedhjen e zyrtarëve si dhe një përfshirje më të madhe të kategorisë së zyrtarëve që kanë anashkaluar kontrollin deri më tani.

Siç e thashë më lart nga një studimi i pjesshëm rezulton se për mbi 50% ( rreth ½ ) të zyrtarëve frekuenca e kontrollit periodik të plotë të tyre është 1(një) herë/ në 10 vjet; për rreth 25 % ( ¼)  të tyre 0 (zero) herë në 10 vjet; ndërsa për një përqindje shumë të vogël 0.05 % kjo frekuencë rritet deri në 4-5 herë/ në 10 vjet.

Ju ftoj tani të merrni pjesë aktive në përzgjedhjen rastësore të subjekteve deklarues, që do të kalojnë në kontroll të plotë.

 

Ju faleminderit!