+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

KONFERENCA ANTIKORRUPSION (PACA)

Fjala e Inspektorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në Konferencën “Bilanci 3-vjeçar në Luftën Kundër Korrupsioni mes Qeverisë Shqiptare-Këshillit të Evropës-Bashkimit Evropian”

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuar zëvendës Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, znj. Bukukio

I nderuar z. Sekui, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri

Të nderuar ministra, drejtues të institucioneve qëndrore dhe të tjerë të ftuar,

Ndihem më shumë se sa i nderuar që jam pjesë e këtij paneli të rëndësishëm për të diskutuar mbi rezultatet konkrete të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.

Vendi ynë ka një trend rritës përsa i përket parandalimit dhe ndëshkimit të korrupsionit nga viti në vit. Forcimi i kuadrit ligjor dhe rritja e masave shtrënguese kanë siguruar një progres të rëndësishëm në frenimin e veprimeve korruptive në administratën publike.

Shqipëria kaloi një tranzicion të gjatë, i cili u shoqërua edhe me anët e tij negative, ku ndër më kryesorët veçohet korrupsioni. Është një sfidë e vështirë, e cila vazhdon të jetë aktuale. Megjithatë, është e përballueshme dhe diçka e tillë po dëshmohet në vijimësi nga shumë institucione ligjzbatuese shqiptare.

Natyrisht, një ndihmesë të madhe për agjencitë shqiptare në luftë kundër korrupsionit janë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe sot është dita të veçojmë projektin PACA të Bashkimit Evropian.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është një ndër përfituesit e drejtëpërdrejtë të asistencës teknike dhe ligjore nga projekti PACA.

Në tre vitet e fundit, falë mbështetjes së PACA-s, Inspektorati i Lartë ka arritur disa nga zhvillimet më të rëndësishme përsa i përket forcimit të kapaciteteve investiguese.

–         Ekspertët e PACA-s kanë qenë mbështetësit kryesorë të amendimeve të dy ligjeve mbi të cilët funksionon institucioni ynë dhe që përbëjnë dy prej shtyllave kryesore të strategjisë anti-korrupsion: ligjit për “Deklarimin e pasurive..”dhe ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”.

Falë ekspertizës profesionale të bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë, këto dy ligje, të cilët u amenduan në Tetor 2012 me shumë thuajse absolute në Kuvendin e Shqipërisë, tashmë krijojnë një barrierë shumë të fuqishme në parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.

–         Gjithashtu, PACA është angazhuar në koordinimin dhe më pas në finalizimin e Marrëveshjeve të Bashkëpunimit ndërmjet Inspektoratit të Lartë dhe disa institucioneve të tjera që administrojnë regjistra publikë të pasurive të zyrtarëve. Në këtë pikë, vlen të përmendet Marrëveshja me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për të cilën PACA është angazhuar edhe për hartimin e një metodologjie për zbatimin në praktikë të këtij akti dypalësh.

–         Së treti, PACA ka qenë aktive edhe në rritjen e kapaciteteve institucionale, nëpërmjet trajnimeve të stafit të Inspektoratit të Lartë për konfliktin e interesit dhe çështjeve të etikës në administratën publike. Në këtë kuadër, PACA ka krijuar mundësitë për realizimin e vizitave studimore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Pastrimit të Parave, për hetimin mbi çështje të korrupsionit për personat e ekspozuar politikisht.

Ky bashkëpunim i vazhdueshëm, i ndërtuar në tre shtyllat e mësipërme, i ka dhënë një nxitje të fortë rolit të instiucionit në parandalimin dhe ndëshkimin e akteve korruptive në administratën publike.

Falë mbështetjes së projekteve të Bashkimit Evropian, tashmë Inspektorati i Lartë ka konsoliduar fizionominë e një agjencie serioze në rritjen e transparencës dhe etikës në administratën publike.

Ju faleminderit për mbështetjen!