+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP trajnon drejtuesit lokalë për ndryshimet ligjore mbi deklarimin e pasurive dhe konfliktin e interesave

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka nisur një fushatë të gjerë trajnuese me drejtuesit e pushtetit vendor lidhur me ndryshimet e ligjore të muajit Tetor 2012 përsa i përket deklarimit të pasurive dhe parandalimit të konfliktit të interesave.

Seria e trajnimeve po zhvillohet me mbështetjen financiare të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), si edhe me ndihmesën e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike (ITAP).

Gjatë takime me të zgjedhurit vendorë, ekspertë të ILDKP kanë sqaruar risitë e dy ligjeve mbi të cilët ushtron aktivitetin e tij institucioni, lidhur me detyrimet e reja që janë parashikuar për të parandaluar korrupsionin dhe konfliktin e interesave në administratën publike.

Pjesëmarrësit në këto aktivitete kanë qenë aktivë, duke dëshmuar interes përsa i përket përcaktimeve ligjore, me qëllim shmangien e konfliktit të interesave gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre publike.

Aktualisht janë zhvilluar seminare trajnuese në 4 qarqe të Shqipërisë; Kukës, Gjirokastër, Elbasan dhe Vlorë, me pjesëmarrjen e mbi 120 drejtuesve lokalë në këto rajone.

Deri në fund të muajit Nëntor 2012 janë parashikuar trajnime në 4 qarqe të tjera të vendit tonë: në Berat, Shkodër, Durrës dhe Lezhë.

Kjo seri takimesh me drejtues të pushtetit vendor do të mbyllet në muajin Janar 2013 me qarkun e Tiranës dhe më tej do të vijojë me zyrtarë të administratës qendrore.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN