+355 42 228 516 info@hidaa.gov.al

NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve koordinojnë kontrollin mbi të ardhurat e zyrtarëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të kryejnë hetime të përbashkëta për të ardhurat e përfituara nga zyrtarët që kanë detyrim ligjor të deklarojnë pasurinë.

Në një takim të zhvilluar ditën e sotme (e Hënë-08.10.2012), Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Gazmir Spahija, shprehën angazhimin maksimal të dy institucioneve për të koordinuar veprimet administrative për evidentimin e rasteve të evazionit fiskal dhe të fshehjës së pasurisë.

Sipas përcaktimeve të nenit 13/2 të ligjit nr. Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për të ardhurat mbi tatimet”, i ndryshuar, detyrohen të plotësojnë formularin përkatës pranë D.P.Tatime të gjithë qytetarët që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milion lekë. Afati ligjor për plotësimin e këtij detyrimi ishte data 30 shtator 2012.

Ndërsa në nenin 3 të ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë” përcaktohet niveli i zyrtarëve që deklaron pasurinë në mënyrë periodike.

Duke shfrytëzuar mundësi ligjore dhe sistemet elektronike që aplikohen në dy institucionet, ILDKP dhe D.P.Tatimeve do të shkëmbejnë në kohë reale pikërisht të dhënat që deklarohen nga zyrtarët në bazë të dy ligjeve të mësipërme.

Ky kontroll i dyfishtë pritet të rrisë efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, duke krijuar mundësi më të mëdha për të evidentuar rastet e zyrtarëve që fshehin të ardhura apo nuk i deklarojnë saktë përfitimet e tyre.

Përpunimi i përbashkët i të dhënave do të nisë në fillim të muajit dhjetor, pasi sipas legjislacionit tatimor, personat që deklarojnë të ardhurat në D.P.Tatimeve kanë mundësi t’i rikorrigjojnë ato brenda dy muajve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të deklaratës së të ardhurave.

Albi SERANI

_________________________

PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN