NJOFTIM PËR SHTYP

OSBE vlerëson aktivitetin e ILDKP për vitin 2012

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), një ndër partnerët kryesorë ndërkombëtare, vlerëson aktivitetin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për periudhën Shtator 2011-Shtator 2012.
Në raportin e Kryetarit të Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Eugen Wolfarth, në Këshillin e Përhershëm të OSBE më 20.09.2012, ILDKP vlerësohet se “Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive (ILDKP) ka mundur të ekspozojë më tej rastet e konfliktit të interesit dhe të bëjë përparim në zbatimin e procesit të deklarimit të pasurive..”.
Gjithashtu, raporti thekson se “ILDKP-ja zhvilloi, gjithashtu, një fushatë sensibilizimi publik gjithëpërfshirëse dhe të orientuar nga përmbajtja për parandalimin e konfliktit të interesit. Me t’u miratuar në Kuvend, një numër ndryshimesh që prekin legjislacionin për ILDKP-në do të lehtësojë më tej përpjekjet e bëra në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dyshuara të korrupsionit”.
Ndërkohë, në vlerësimin vjetore të OSBE për Shqipërinë përmendet i njëjti qëndrim që është mbajtur nga ILDKP lidhur me angazhimin e institucioneve të drejtësisë në ndëshkimin e zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin publik. “Korrupsioni në nivele më të ulëta ndonjëherë ndiqet penalisht dhe ndëshkohet ligjërisht, në nivele më të larta, korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet thuajse të plotë. Kjo kulturë pandëshkueshmërie mund të shpjegojë përse sistemi i drejtësisë ka një reputacion publik kaq të keq”, theksohet në raport.
ILDKP mbështetet në shumë projekte nga OSBE lidhur me forcimin e kapaciteteve investiguese dhe promovimin e publik të aktivitetit institucional.

Albi SERANI
_________________________
PËRGJEGJËS PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN