NJOFTIM PËR SHTYP

ILDKP-Ministria e Drejtësisë nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Ministria e Drejtësisë shprehën gatishmërinë e tyre për luftë të përbashkët kundër korrupsionit nëpërmjet Marrëveshjes së Bashkëpunimit, firmosur sot nga dy drejtuesit e institucioneve, z. Adriatik Llalla dhe z. Eduard Halimi.

Në qendër të këtij dokumenti dypalësh qëndron vullneti i mirë për të shkëmbyer informacion, si edhe për të zhvilluar hetime ndërinstitucionale ndaj zyrtarëve publikë, të cilët abuzojnë me detyrat shtetërore për përfitime personale.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Llalla, shprehu në mënyrë të përmbledhur qëllimin e dokumentit ndërinstitucional: “Inspektorati i Lartë tashmë do të ketë akses të plotë për të marrë të dhëna nga regjistri elektronik i pasurive të paluajtshme dhe kjo shënon një zhvillim të rëndësishëm pozitiv në drejtim të hetimit që zhvillon ILDKP për pasuritë e zyrtarëve. Është për t’u vlerësuar nisma e Ministrisë së Drejtësisë për dixhitalizimin e të dhënave publike, të cilat ndikojnë ndjeshëm në përfitimin në kohë reale të të dhënave që disponojnë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si edhe minimizon kostot financiare dhe në burime njerëzore”.

Inspektorati i Lartë, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së sotme, do të nisë përdorimin e këtij sistemi, i cili shkurton afatet kohore burokratike për marrjen e informacionit zyrtar dhe rrit efiçiencën e hetimeve administrative.

Marrëveshja është vijim i bashkëpunimit konkret ndërmjet dy institucioneve tona, të cilat janë fokusuar më së shumti në çështje të pasurive të paluajtshme dhe të luftës së përbashkët kundër korrupsionit në organet e drejtësisë.