NJOFTIM PËR SHTYP

FJALIM PER TAKIMIN

“STANDARTET E ETIKES DHE KODEVE PARLAMENTARE”

I nderuar z. Gumi,

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ndihet i vlerësuar që është pjesë e këtij takimi të rëndësishëm dhe për këtë falenderon organizatorët dhe të ideatorët e forumit për Standartet e Etikës në administratën e lartë shtetërore.

Inspektorati i Lartë, siç është i njohur nga të gjithë, është një prej institucioneve më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Institucioni është autoriteti qëndror përgjegjës për zbatimin e ligjit “për deklarimin dhe kontrollin e pasurive…” dhe “për parandalimin e konfliktit të interesave…”. Këto mekanizma ligjorë janë baza e garantimit të një sjellje korrekte dhe ligjore të zyrtarëve të administratës publike. Fryma e këtyre ligjeve është fokusuar kryesisht në parandalimin dhe më tej në ndëshkimin e situatave korruptive. E parë në këtë këndvështrim, Inspektorati i Lartë është ndër institucionet pararojë për forcimin e standarteve të sjelljes zyrtare dhe është i gatshëm të ofrojë kontributin e tij për hartimin e një Kodi të Etikës, i cili fillimisht është ideuar për organin ligjvënës dhe më pas duke synuar të gjejë hapësirë në të gjitha nivelet e tjera.

Në aktivitetin e tij, institucioni ynë ka objektiv primar ndikimin për sjelljen etike të zyrtarëve gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Ky prioritet realizohet nëpërmjet dy fazave; fillimisht me anën e ndërgjegjësimit për zbatimin me korrektesë të detyrës publike dhe ligjit e më tej me ndëshkimet administrative e penale për zyrtarët që veprojnë në kundërshtim me dispozitat në fuqi.

Subjekte të legjislacionit që administrohen nga ILDKP janë të gjithë zyrtarët e administratës publike, përfshirë këtu persona të zgjedhur, nëpunës civilë dhe të emëruar. Është një zhvillim shumë pozitiv fakti që në konkurset për vende pune në administratën publike kërkohen njohuri mbi ligjin “për parandalimin e konfliktit të interesave…” dhe ligjit “për deklarimin e pasurive…”. Në këtë mënyrë, para se të fillojë aktivitetin e tij publik, çdo zyrtar duhet të jetë i familjarizuar me dispozitat ligjore që lidhen me konfliktin e interesave, e cila është një prej normave bazë të etikës në administratë.

Megjithatë, filtrat ligjorë që përdoren për nëpunësit publikë para se ata të marrin një funksion zyrtar nuk janë njëlloj të aplikueshëm për personat e zgjedhur në pushtetin qendror apo lokal. Nëse u referohemi zgjedhjeve vendore të zhvilluara vitin e kaluar në Shqipëri, një pjesë e fituesve kishin një të kaluar të suksesshme biznesi dhe me reputacion personal në njësinë administrative ku konkuronin, por në aktivitetin e tyre nuk ishin përballur me kërkesat ligjore në administratën publike, sidomos përsa i përket konfliktit të interesave. Për këtë arsye, shumë prej tyre u gjenden përballë ndalimeve, të cilat nuk i kishin marrë parasysh gjatë periudhës së kandidimit. Gjithësesi, stafi i ILDKP u angazhua maksimalisht për ofrimin e asistencës teknike dhe ligjore ndaj tyre, në mënyrë që të aplikoheshin zgjidhjet ligjore më oportune për këtë kategori zyrtarësh.

Nisur nga kjo situatë, Inspektorati i Lartë e vlerëson shumë pozitiv takimin e sotëm, i cili do të shërbejë si një pikënisje për hartimin e një Kodi Etike për deputetët dhe që, me shumë mundësi, do të gjejë shtrirje edhe tek të zgjedhurit e tjerë në nivel lokal.

Në këndvështrimin e Inspektoratit të Lartë, përcaktimi i standarteve të etikës, është një zhvillimin i rëndësishëm, kjo e parë në kuadër të forcimit të dispozitave ligjore për parandalimin dhe ndëshkimin e situatave me konflikt interesi, të cilat priten të miratohen së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë.

Të nderuar pjesëmarrës, 
Duke ritheksuar gatishmërinë e Inspektoratit të Lartë për të kontribuuar me ekspertizën e tij për sanksionimin e rregullave të etikës përsa i përket shmangies së konfliktit të interesave, ju falenderoj sërish për ftesën. Gjithashtu, shpresoj që në përfundim të këtij takimi të konkludohet në një draft-rregullore, e cila të përmbushë pritshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë, që janë iniciatorë e pjesëmarrës në këtë tryezë.

Ju faleminderit!